Arbitri akuzohet për trukim të ndeshjes

Ndeshja mes Afrikës së Jugut dhe Senegalit e vlefshme për kualifikueset e Botërorit e luajtur më 12 nëntor të 2016-ës dhe e fituar 2-1 nga afrikanojugorët do të përsëritet. Ky ka qenë vendimi i FIFA-s, që ka arritur në konkluzionin se gjyqtari kryesor i kësaj sfide, ganezi George Lamptey, tashmë i pezulluar përjetë ka influencuar në rezultatin përfundimtar të ndeshjes. Një lajm i bujshëm ky që krijon një precedent shumë të rëndësishëm. Afrika e Jugut dhe Senegali bëjnë pjesë në Grupin D kualifikues të konfederatës afrikane, ku diferenca mes ekipit të parë dhe të fundit ishte vetëm 2 pikë. Burkina Faso dhe Kepi i Verdhë kishin nga 6 pikë, Senegali 5 dhe Afrika e Jugut 4.
Në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Peter Mokaba”, George Lamtey vërshëlleu për një 11-metërsh të paqenë për prekje të topit me dorë nga senegalezi Kulibaly në fund të pjesës së parë. Për çudi të të gjithëve kryesori ganez e drejtoi gishtin nga pika e bardhë. Më pas u zbulua se Lamptey kishte pasion bastet, sidomos ato me shumë gola, ndaj kishte bërë gjithçka që në këtë sfidë të drejtuar nga ai vetë, të shënoheshin të paktën tri gola. Protestat e Senegalit çuan në nisjen e hetimeve nga Konfederata afrikane.
Lamptey fillimisht u pezullua 3 muaj, por pasi në krye të qeverisë së futbollit afrikan u emërua Ahmad Ahmad, gjyqtari ganez u pezullua përgjithmonë. FIFA ka gjetur prova të përfshirjes së Lamptey në botën e basteve, ndërsa në ndeshjen konkrete fluksi i lëvizjes së parave për bastin me gola ka qenë anormal. FIFA-s i janë dashur plot 6 muaj për të vendosur që ndeshja duhet përsëritur.
Ndërkohë, Lionel Messi dhe Havier Mascherano rrezikojnë të mos luajnë për Barcelonën kundër një kundërshtari të fortë si Sevilla në muajin nëntor. Nëse Argjentina nuk arrin ta zërë njërin prej katër vendeve në tabelë për ndeshjet eliminatore të Kupës së Botës Rusia 2018, Lionel Messi, mund të humbasë takimin e Barcelonës kundër Sevillas në nëntor.
Vendi i pestë në Amerikën e Jugut duhet të luajë në play off dhe kjo ndeshje nga FIFA është caktuar për të hënën më 6 nëntor. Prandaj, asnjë prej lojtarëve të thirrur nga skuadra e Amerikës së Jugut nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në ndeshjet e La Liga të javës së 11 pasi ato zhvillohen një ditë më herët.
Në mesin e yjeve që rrezikojnë mungesën janë edhe Messi, Luis Suarez dhe Javier Mascherano.
Rregullorja thekson se lojtarët duhet të thirren për ekipin e tyre kombëtar katër ditë para ndeshjes, ndërsa Uruguai, Kolumbia, Peru, Argjentina, Kili dhe Paraguai janë gjashtë skuadrat që mund të përfundojnë në pozitën e pestë.