Ahmetaj fsheh donacionin për PS

Ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka mashtruar me deklaratën e pasurisë, duke konsumuar disa vepra penale njëherësh, si deklarim të rremë të pasurive, fshehje të transaksioneve bankare dhe mbase edhe pastrim parash. Ahmetaj, i cili do të jetë pjesë e qeverisë së re, si ministër i një superdikasteri ku përfshihen financat, ekonomia dhe puna, në datën 31.05.2013, në numrin e llogarisë 000112879 ka kaluar 875.000 lekë ose rreth 8 mijë USD, për fushatën e Partisë Socialiste. Por, një shumë e tillë nuk figuron në deklaratën e pasurisë së tij, për vitin 2013, dorëzuar pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive. Financimi i fushatës nga ministri del në pah vetëm në raportin e audituesve të pavarur, të kontraktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për të kontrolluar shpenzimet dhe burimin e financimit të fushatës së Partisë Socialiste. Ligji nr. 9049, datë 10.4.2003 për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, neni katër, pika 1, neni “h”, parashikon që subjektet e përcaktuara në nenin 3 të këtij ligji detyrohen të deklarojnë në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave brenda datës 31 mars të çdo viti, gjendjen deri më 31 dhjetor të vitit paraardhës të interesave private, brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë, burimet e krijimit të tyre, si dhe të detyrimeve financiare si më poshtë: çdo shpenzim i deklarueshëm, me vlerë mbi 300 000 (treqind mijë) lekë, i kryer gjatë vitit të deklarimit. Ligji është i qartë, duke detyruar çdo zyrtar që të deklarojë çdo shpenzim mbi 300 mijë lekë, si dhe justifikimin e burimit të shumës së deklaruar me dokumentacion ligjor.
Neni 257/a i Kodit Penal parashikon që mosdeklarimi i pasurisë, interesave privatë të personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim sipas ligjit, kur më parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj. Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Referuar deklaratës së pasurisë për vitin 2013 dhe raportit të audituesve për financuesit e fushatës së PS, Ahmetaj duhet të jetë objekt hetimi nga organet ligjzbatuese.

Ahmetaj dhe deklarata e tij e pasurisë

Paga dhe shpërblime bruto si anëtar i Parlamentit janar-shtator 2013 në vlerën 1 049 508 lekë.
Paga si ministër i Ekonomisë për periudhën shtator-dhjetor 2013 në vlerën 508 004 lekë.
Pjesëmarrje në komisione 34 200 lekë.
Pagesa të marra për shpenzime telefoni dhe karburanti 449 500 lekë.
Pagesa të marra për dieta ditore dhe akomodim 206 936 lekë.
Paga dhe shpërblime bruto të zonjës Albina Mancka deklarohen në vlerën 5 061 031 lekë.
Zonja Albina Mancka përfiton të ardhura nga dhënia me qira e zyrave në vlerën 10 800 euro.
Zonja Albina Mancka përfiton të ardhura nga dhënia me qira e ambienteve në vlerën 12 000 euro.
Kredi në bankë të nivelit të dytë me vlerë detyrimi të pashlyer 439 euro, disbursuar më 05.01.2012, afat shlyerje 2 vjet, principal 10 000 euro.
Kredi në bankë të nivelit të dytë me vlerë detyrimi të pashlyer 31 381 euro, marrë më 24.08.2006 me principal 100 000 euro.
Kredi në bankë të nivelit të dytë me vlerë detyrimi të pashlyer 10 243 euro, marrë më 16.11.2009 me principal 24 111 euro.
Detyrime të paguara në vlerën -3 539 euro për një kredi bankare të aktivizuar më 05.01.2012.
Detyrime të paguara në vlerën -11 297 euro për një kredi bankare të aktivizuar më 24.08.2006.
Detyrime të paguara në vlerën -3 827 euro për një kredi bankare të aktivizuar më 16.11.2009.
Zonja Albina Mancka ka shlyer leasing për blerje makine në vlerën -3 172 euro.

Biznesi 100 mijë euro i ministrit të Financave me obligacionet

Ministri i Financave ka gjetur një biznes të mirë për të shtuar të ardhurat e tij. Ai ka investuar një shumë prej 100 mijë euro për blerjen e obligacioneve gjatë kohës që ka qenë në krye të Ministrisë së Financave. Nga njëra anë, ai direkt vendoste kuotat e fitimit të obligacioneve si ministër Financash në bashkëpunim me bankën dhe nga ana tjetër, ai i investonte paratë e tij në këtë biznes, rregullat e të cilit i përcaktonte po vetë.
Duke qenë edhe ministër i Financave, Ahmetaj është në një konflikt të pastër interesi me këtë biznes. Kjo për arsyen e thjeshtë se ai ka investuar në obligacionet ose Bonot e Thesarit, i cili është një borxh që bankat ja marrin qytetarëve dhe më pas ja shesin qeverisë. Pra, Ahmetaj ka investuar 100 mijë euro në obligacione, duke ja shitur bankave dhe më pas si ministër i Financave ja ka blerë bankës paratë që ai ka investuar po vetë me përqindje shumë herë më të lartë.
Gjatë kohës që Ahmetaj ka qenë ministër i Financave ka pasur edhe një rritje të borxhit publik të brendshëm, gjë që do të thotë se qeveria merrte para borxh tek bankat, të cilat nga ana e tyre e blinin borxhin nga investuesit e qytetarëve në obligacione apo Bono Thesari. Një prej këtyre investitorëve ka qenë edhe Ahmetaj. A është kjo e kundraligjshme? Ajo që mund të thuhet është se kemi të bëjmë me një investim, i cili është në konflikt të hapur interesi. Pyetja tjetër është ajo e shumës së 100 mijë eurove. Ku i gjeti ministri i Financave shuma të tilla për të investuar? Kuptohet se pasuria e tij është rritur shumë gjatë viteve të fundit në qeverisje si ministër i Financave dhe ish-ministër Ekonomie, ku aferat korruptive janë publikuar dhe janë ndër më skandalozet në këto dy ministri. Mjafton të kujtohet skema e pistë me koncesionet që drejtohej nga Ahmetaj tek Ministria e Ekonomisë dhe vizitat me vëllain e Kryeministrit tek partnerët kinezë për të dhënë me koncesion zonën e lirë ekonomike të Spitallës.

Çfarë janë obligacionet

Bonot e Thesarit dhe obligacionet janë instrumente të borxhit qeveritar afatgjatë dhe afatshkurtër dhe janë të garantuara nga qeveria shqiptare.
Sigurojnë kthim fiks (nëse investoni paratë tuaja deri në maturitetin e duhur) dhe janë instrumente likuide.
Në një treg të paqëndrueshëm ku interesat rriten, ekziston risku. Investimi në letra me vlerë nuk është si investimi në depozitat me afat. Ka mundësi që ju të humbisni pjesë të shumës së principalit nëse nuk mbani letrat me vlerë deri në maturitetin e tyre.
Banka ofron shërbime për ruajtjen e investimeve tuaja në Bono Thesari dhe obligacione.
Ato mund të blihen dhe shiten nga ora 09:00-14:00 me të njëjtën datë valutë për aq kohë sa do të kryeni transaksione në regjistrin e Bankës.
Bonot e Thesarit shiten me zbritje dhe fitimi në maturitet bëhet i ditur më përpara.
Obligacionet kanë kupona. Kuponat e tyre kanë norma interesi fikse ose të ndryshueshme.
Pagesat e kuponave të obligacioneve bëhen çdo 6 muaj.

Arlind RAMA