Shqiptari i dënuar për vrasje arratiset nga burgu në Zvicër

 

Një operacion i madh kërkimi ka nisur në Zvicër dhe më gjerë, pasi një shqiptar i dënuar për vrasje dhe me rrezikshmëri të lartë është arratisur nga burgu. Bëhet fjalë për shqiptarin nga Kosova me emrin Bashkim L., 35 vjeç i cili është arratisur gjatë natës mes së premtes dhe të shtunës së javës së kaluar nga burgu qendror i Friburgut në Zvicër.
Lajmi është bërë publik sot nga policia e Friburgut, e cila ka kërkuar nga qytetarët që të japin informacione nëse e shikojnë të arratisurin. Sipas policisë, dyshimet janë që ai të jetë larguar nga Zvicra dhe të ketë mbërritur në Kosovë, theksojnë mediat zviceriane.
Bashkim L., ishte dënuar në vitin 2013 për vrasjen e një shqiptari nga Kosova, por që jetonte në Itali, pas përplasjeve për kontrollin e territoreve të shitjes së drogës. Policia e ka shpërndarë foton e shqiptarit nëpër të gjithë Zvicrën dhe e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar shqiptarin nga Kosova.