Banorët e Shijakut protestë kundër grumbullimit të mbetjeve spitalore

Ndërtimi i një inceneratori për grumbullimin e mbetjeve spitalore, por edhe veterinare dhe më pas asgjësimin e tyre pranë një zone të banuar në Shijak ka futur në konflikt banorët dhe bashkinë e këtij qyteti me firmën kontraktuese, por edhe me Ministrinë e Mjedisit.
Banorët shprehen kundër ndërtimit të këtij impianti, duke e akuzuar firmën se po merr përsipër asgjësimin e mbetjeve të konsideruara të dëmshme ende pa krijuar teknologjinë e duhur. “Ndotja e ajrit, gazrat ku do të çlirohen? Do të çlirohen në ambient. Po ndeze zjarr për të djegur barishte po ndotet ajri”, u shpreh një banore. Një banor tha se, “shtëpia ime është 50 metra, ja ku është. Jam kundër kësaj nuk diskutohet, nuk ikim nga këtej po nuk u rregullua ky”.
Por përfaqësues të firmës gjatë marrjes në pyetje të policisë kanë deklaruar se disponojnë një leje mjedisore nga Ministria e Mjedisit dhe se kanë kapacitetet e duhura për këtë impiant.
Vetë Bashkia e Shijakut, e cila nuk e ka dhënë miratimin për këtë impiant thotë se kompania e ka nisur aktivitetin në mënyrë të paligjshme. “Është një leje 32b që quhet, e cila është dhënë për autoklavën, asgjësimin e një pjese të mbetjeve spitalore dhe tashmë ka dashur që të marrë një leje të dytë për incenerim të mbetjeve dhe janë totalisht jashtë çdo lloj norme”, tha Valbona Mazerka.
“Kur njoftimi është bërë sot në orën 10 ishte konsultim me publikun dhe deri në këto momente kushtet që ka paraqitur subjekti të paktën tek raporti që ka marrë DRM-ja e Durrësit nuk përkon me bazën ligjore dhe me atë çka është reale brenda”, tha Albiona Mehmeti.
Akuza se gjithçka është ndërmarrë pa transparencë dhe pa zhvilluar asnjë dëgjesë publike me përfaqësues të komunitetit, ka nxitur edhe policinë të shoqërojë dhe të marrë në pyetje përfaqësuesit e firmës. Gjithsesi sipas ligjit bashkia duhet të thotë fjalën e saj nëse miraton apo jo ndërtimin e një impianti përpunimesh mbetjesh urbane që në rastin konkret nuk ka ndodhur. Pritet fundi i hetimeve për të zbardhur çështjen në fjalë.