41 milionë për një vendrojë plazhi që nuk u vendos kurrë

41 milionë lekë për një vendrojë plazhi që nuk u vendos kurrë. Tenderi u bë, lekët u morën, vendrojët nuk u vendosën, ndërsa 28 pushues u mbytën gjatë këtij sezoni turistik. Një vëzhgim i emisionit “Stop” konstaton, se përgjatë gjithë vijës bregdetare, ose mungojnë kullat e vrojtimit, ose edhe kullat edhe personat, që duhet të shpëtojnë jetë. Një VKM rregullon mënyrën e funksionimit të këtyre strukturave, por as që është vënë në jetë nga njësitë vendore.
Gazetari i emisionit “Stop” ka realizuar një vëzhgim përgjatë vijës bregdetare nga kur rezultoi se ekzitojnë vetëm kulla, por asnjëra prej tyre nuk ka vrojtues.
Gazetari: Jemi në mesin e muajit gusht në qytetin e Sarandës, një ndër qytetet më të frekuentuara nga turistët vendas dhe të huaj. Para një muaj e gjysmë emisioni “Stop” ka investiguar pjesën dërrmuese të bregdetit shqiptar ku ka evidentuar një sërë problematikash, një ndër prej tyre dhe mungesa e kullave të vrojtimit, pajisur edhe këto edhe me vrojtuesin, i cili duhet t’u vijë në ndihmë pushuesve.
28 është numri i të mbyturve në sezonin veror të 2017, ndoshta ky numër do të ishte më i vogël nëse do të ishin marrë masa dhe gjërat do të funksiononin siç duhet në Shqipëri.
Ligji shqiptar parashikon krijimin e një ambienti të sigurt për turistët e huaj dhe shqiptarë. Një VKM e dalë në 18.05.2016 në nenin 6, pika “c”, parashikohet që pushteti lokal që jep ambientet me qira bizneseve private duhet t’i detyrojë ata në bazë të VKM që të ndërtojnë një kullë vrojtimi dhe të punësojnë një vrojtues.
Gazetari i emisionit “Stop” ka bërë një investigim në qytetet bregdetare dhe asnjë prej tyre nuk ka një vrojtues që të qëndrojë në punë për t’i ardhur në ndihmë pushuesve që mund të gjenden në rrezik kur janë me pushime.
Më 27 prill të vitit 2017 është tenderuar nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit një kullë me shumën prej 41 milionë lekësh të vjetra, adresa e dhënë është në Dhërmi.
Gazetari ka shkuar në Dhërmi për të parë, se ku është kulla, se çfarë ka ajo që kushton aq shumë.
Por edhe pse gazetari kontrolloi të gjithë vijën bregdetare në Dhërmi nuk gjeti asnjë kullë që të kishte të bënte me tenderimin e Agjencisë së Bregdetit.
E vetmja kullë që ishte në Dhërmi ishte një kullë, e cila ishte ndërtuar nga një subjekt privat.
Por gazetari nuk e ka lënë me kaq, ai ka kontaktuar me Auron Taren, kreun e Agjencisë së Bregdetit, i cili tha se publikimi i tenderit 41 milionë lekë për një kullë që nuk u bë kurrë, është lapsus. Ndërsa investimi në kulla pa njerëz, është thjesht shumë parash e hedhur dëm.
Auron Tare: “Në fakt tenderimi që është që bërë në maj dhe në qershor dhe është një tenderim i mbartur nga viti i kaluar për vendosjen e 13 kullave, të cilat janë dhe në dokumentacion me një vlerë prej 5 milionë lekësh të vjetra, nga subjekti që u fitua. Këto kulla janë vendosur në Vlorë, Lungomare, Orikum dhe plazhin e vjetër sipas kërkesës së bërë nga Bashkia e Vlorës, për arsye të fluksit të vizitorëve. Këto kulla, 13 copë brenda këtij tenderimi janë vendosur në plazhin e Vlorës”.
Gazetari: Pra, është një lapsus me të dhënat që janë nga Agjencia e Prokurimit Publik, adresa është Dhërmi dhe kullat janë bërë në Vlorë?
“Ne mund të bënim dhe 100 kulla dhe t’i shpërndanim në shumë qytete ku bashkitë kanë nevojë, por duke qenë se Bashkia e Vlorës ka bërë kërkesë me shkresë zyrtare për t’i vendosur në këto zona, i është dhënë përparësi këtyre zonave. Unë do të thoja se një kullë pa vrojtues nuk ka asnjë rol. Kullat nuk kanë vrojtues, por nuk do të thotë së nuk do të kenë”, tha Tare.