Planet e Londrës për Brexit

Deri më tani mes ministrit britanik të Financave, Philip Hammond dhe atij të Tregtisë, Liam Fox nuk kishte ujdi lidhur me negociatat e Brexit. Hammond, që konsiderohet si proeuropian është për rrugën e “butë” të daljes nga BE, Fox është një kundërshtar i pasionuar i BE-së dhe pro Brexit të “ashpër”.
Tani duket se mes dy ministrave të qeverisë së Theresa May-t grindja për rrugën se si duhet zhvilluar Brexit është platitur. “Jemi gati” –”jemi të përgatitur”, thuhet në Londër. Ata kanë dalë tani me një propozim të përbashkët për fazën e ndërmjetme të daljes nga BE.
Në një artikull për “Sunday Telegraph”, dy ministrat propozojnë një fazë të ndërmjetme për përmbushjen e procesit të Brexit të planifikuar në vitin 2019. Me këtë të dy ministrat Hammond dhe Fox duan t’i japin “më shumë siguri” ekonomisë. Kjo fazë e ndërmjetme, megjithatë nuk duhet të “jetë e pakufizuar”, shkruajnë ata dhe as të tentojë një anëtarësim të ri përmes derës së pasme. Në këtë fazë të ndërmjetme Britania e Madhe “do të jetë jashtë unionit doganor” dhe nuk do të jetë e lidhur më me marrëveshjet europiane.
Edhe Ministria e Brexit të David Davis ka bërë të ditur, se do të publikojë një radhë “dokumentesh të detajuara për pozicionet britanike” që do të jenë pjesë e negociatave në Bruksel. Aty bëhet fjalë si për ndarjen me BE ashtu edhe për formësimin e marrëdhënies së ardhshme. Britania e Madhe pret që negociatat të fillojnë në tetor.

E ardhmja e kufirit të gjelbër në ishullin e gjelbër
Një temë e rëndësishme në këto negociata do të jetë edhe kufiri i ardhshëm mes BE dhe Republikës së Irlandës e Irlandës Veriore britanike. Në ishullin e gjelbër njerëzit i tremben pasojave ekonomike dhe rihapjes së plagëve të vjetra në rajonin që ka vuajtur gjatë nga lufta qytetare.
Si kohë për fillimin e Brexit ishte parashikuar qershori. Por bisedimet e deritanishme nuk kanë pasur sukses. BE pret deri në fund të gushtit nga qeveria britanike që të sqarojë pozicionet për çështjet kryesore të procesit të ndarjes. Ndërsa ministri britanik i Brexit, Davis kërkoi që BE të lëvizë nga pozicionet e saj.
Më 28 gusht është planifikuar një raund i ri në Bruksel. Britania e Madhe kërkon të largohet nga BE deri në mars 2019. Temë qendrore në negociata është edhe e drejta e qëndrimit të 3,2 milionë banorëve të BE në Mbretërinë e Bashkuar dhe 1,2 milionë britanikëve në Bashkimin Europian.
Grindje sundon edhe lidhur me pretendimet financiare të Brukselit ndaj Britanisë së Madhe që kapin shifrën e 100 miliardë eurove. Sipas “Sunday Telegraph”, qeveria e Londrës është e gatshme të paguajë 40 miliardë euro, në rast se Brukseli është i gatshëm të hapë negociatat për një marrëveshje të re tregtie. Por BE nuk dëshiron të flasë për marrëdhëniet e ardhshme me BE, para se të sqarohen mirë çështjet kryesore të divorcit të Britanisë së Madhe nga unioni.