Pas Granadës, Las Palmas do Manajn

Pas Granadës dhe një tjetër skuadër spanjolle interesohet për Rey Manajn. Sipas asaj që raportohet nga mediat ndërkombëtare, klubi i La Ligas po kërkon shërbimet e sulmuesit shqiptar, pas refuzimit që mori nga zikaltërit për Gabigol. Las Palmas kërkon të përforcojë repartin e sulmit dhe Manaj shihet si një alternativë e mirë për të qenë më produktive në fazën e avancuar.
Aktualisht mësohet se klubi nga Ishujt Kanarie ka kontaktuar dhe me Interin, që mban kartonin e Rey Manajt, me të cilët sulmuesi ka një kontratë deri në vitin 2020 dhe po shihet mundësia e një kalimi të mundshëm të lojtarit në Primera. Pak ditë më parë një tjetër skuadër spanjolle, Granada shfaqi gjithashtu interes për Manajn, që në karrierën e tij ka veshur përveç fanellës së Interit dhe atë të Cremoneses, Pisës dhe Pescarës. Primera Divizion mund të jetë një mundësi e mirë për Manajn për të vazhduar karrierën e tij, pasi te Las Palmas mund të ketë një fanellë titullari të garantuar.