Osmani: “Synojmë titullin kampion”

Një nga futbollistët më cilësorë të skuadrës të Skënderbeut është optimist se skuadra e tij do të synojë jo vetëm grupet e Europa League, por dhe titullin kampion të Shqipërisë. Një objektiv të tillë e bazon jo vetëm te grupi që ka aktualisht skuadra e tij, por dhe klima që ekziston në skuadër. Në intervistën e mëposhtme, ai jo vetëm bën analizën e ndeshjeve të zhvilluara në Europa League, por shpalos dhe objektivat për këtë sezon.
– Osmani, aktualisht jeni në turin e katërt kualifikues të Europa League, e prisnit këtë start mjaft të mirë të skuadrës tuaj?
Absolutisht që po. Tashmë skuadra jonë është mësuar me këto starte. Duke përjashtuar edicionin e kaluar që vetëm dënim nuk mund të ishte vitet e tjera kanë qenë mjaft të suksesshme. Mjaftojmë të kujtojmë edicionin e para dy viteve ku skuadra jonë u rreshtua me skuadrat e grupeve të Europa League. Shpresojmë që dhe këtë vit të jemi në të tilla nivele dhe pse kundërshtari i radhës (Dinamo Zagreb) është për t’u respektuar.
– Në gjashtë ndeshje që keni zhvilluar deri më tani për Europa League, cilën ndeshje vlerësoni më të bukurën?
Ndeshjen e parë me Kairat Alamtyn të zhvilluar në Kazakistan. Morëm goditjen qysh në minutat e para të ndeshjes. Dikush mendoi se me golin e pësuar skuadra nuk do të kishte forcën e duhur për të reaguar, por ja që ndodhi e kundërta. Jo vetëm që zhvilluam një ndeshje perfekte në të gjitha drejtimet, por dhe mundëm të shënonim duke hedhur një hap të sigurtë për kualifikim. Mos harroni që skuadra kundërshtare në gjirin e saj kishte futbollistë të një niveli të lartë. Mjafton të përmendim Arshavin (përfaqësuese të Rusisë), për të kuptuar forcën e kësaj skuadreje.
– Ku është mbështetur loja e skuadrës tuaj?
Grupi dhe besimi te vetja janë pikat ku është mbështetur loja e skuadrës tonë. Nëse analizojmë me radhë ndeshjet e them me bindje se skuadra nga ndeshja në ndeshje ka shpalosur një futboll të kënaqshëm dhe cilësor. Kjo vërtohet jo vetëm te niveli i ndeshjeve që kemi zhvilluar, por dhe te rezultatet që kemi arritur. Dhe pak ditë na ndajnë nga ndeshja e parë e turit të katërt kualifikues ndaj Dinamos në Zagreb.
– Si duket atmosfera në skuadrën tuaj?
Është mjaft e mirë. Këtë e bazoj jo vetëm te harmonia që ekziston në skuadër, por dhe te sportdashësit tanë që janë të shumtë në shkallët e stadiumit. Prezenca e tyre në shkallët e stadiumit është një burim frymëzimi për ne. Sa për skuadrën kundërshtare kemi nisur të mendojmë qysh në ditën e hedhjes të shortit.
– Disa analistë, por dhe drejtues, pohojnë që skuadra kundërshtare, Dinamo e Zagrebit nuk është në nivelin e dy viteve më parë. E ndani dhe ju këtë mendim?
Kemi informata që nga skuadra kundërshtare janë larguar disa futbollistë me peshë, por kjo nuk do të thotë që kjo skuadër duhet nënvlerësuar, por përkundrazi duhet vlerësuar në maksimum. Dinamo e Zagrebit është një kundërshtar që i ka nxjerrë problem edhe skuadrave me emër në futbollin evropian. Ndaj dhe vlerësimi ynë duhet të jetë në shkallën maksimale.
– Sa mundësi ka skuadra juaj për kualifikim?
Nëse nisemi me këto llogari, kam mendimin se 50 me 50 janë shanset për kualifikim. Nuk ka më skuadra të mëdha apo të vogla. Pavarësisht kualiteteve që ka skuadra kundërshtare dhe skuadra jonë ka futbollistë cilësorë. Tashmë ne mund të konsiderohemi skuadër që ka eksperiencë në ndeshjet ndërkombëtare.
– A përbën avantazh zhvillimi i ndeshjes së parë jashtë fushës tuaj?
Normale që po. Ardhja me një rezultat pozitiv nga ndeshja e parë është pozitive për çdo skuadër. Ne do ia bëjmë hyzmetin që nga ndeshja e parë të kthehemi me një rezultat të favorshëm.
– Kë konsideroni rezultat të favorshëm?
Barazim apo një rezultat të ngushtë do të ishte një avantazh i madh për ne. Çdo gjë mund të ndodhë. Shanset janë të barabarta.
– Si e parashikoni Skënderbeun e sivjetëm?
Për momentin jemi të fokusuar te ndeshja e radhës, ajo ndaj Dinamos së Zagrebit që do të zhvillohet këtë të enjte. Sigurisht dhe opinioni sportiv këtu është mësuar me objektivat e skuadrës sonë, që është fitimi i të gjithë trofeve.
Intervistoi:
Nderim Goci