Irritohet Zidane

Ndëshkimi me të kuq i Ronaldos, si pasojë e dy kartonëve të verdhë, si dhe shtyrja që i bëri arbitrit të ndeshjes së parë për Superkupën e Spanjës në “Camp Nou” kundër Barcelonës, duket se e shqetëson shumë trajnerin Zinedine Zidane. “Jam shumë i irrituar dhe jo vetëm unë, por të gjithë. Nuk dua të flas për arbitrat, por nëse shohim atë që ndodhi e më pas ndëshkimin me 5 ndeshje të Cristiano Ronaldos, atëherë mund të themi se diçka nuk po shkon siç duhet. Kjo është e tepërt”, tha francezi i Realit të Madridit. “Nuk e di nëse dikush e ka personale me të, shpresoj që të mos jetë kjo. Gjithkush duhet të bëjë detyrën e tij. Por në fund, jam unë që duhet të bëj llogaritë me mungesën e tij për 5 ndeshje”, deklaroi më tej Zidane.
Sa i përket ndeshjes së kthimit dhe përmbysjes së “mundshme” të Barcelonës pas rezultatit 1-3 në “Camp Nou”, tekniku francez shprehet: “Gjithçka është e mundshme kur ekziston përballje me dy takime. Duhet të bëjmë lojën tonë. Barcelona është një skuadër e mirë dhe mund të na vërë në vështirësi në çdo moment. Por ne duhet të mendojmë të zhvillojmë një ndeshje të mirë, deri në minutën e fundit dhe të përpiqemi ta fitojmë edhe ndeshjen e kthimit. Me siguri do të na pengojnë në këtë objektiv, ndaj na pret një ndeshje e vështirë, jo vetëm fizikisht”.
Ndërkohë, për merkaton, e cila ka edhe 15 ditë deri në mbylljen e saj, Zidane nuk ka ndonjë “peng”. “E kam thënë edhe më herët, jam i kënaqur me skuadrën që kam. Besoj se do të qëndrojnë që të gjithë, megjithatë, deri në datën 31 mund të ndodhin shumë gjëra”. Gjithsesi, irritimi për atë që ka ndodhur duket se nuk prek vetëm skuadrën “merengues”, por edhe tifozët e saj.
Fansat e “Los Blancos”-ve janë të indinjuar për faktin që kanë rënë viktima të gabimeve në gjykim. E për këtë arsye, në ndeshjen e kthimit të së mërkurës, në “Bernabeu” pritet të shohim një reagim vërtet të fuqishëm nga tifozët, që siç njoftojnë mediat spanjolle, është përgatitur për në minutën e 7 të ndeshjes.
Në këtë moment do të shpërthejë protesta e tifozëve të Realit për “gjykimet kundër” e mbi të gjitha për episodin e fundit në “Camp Nou”, që pati për protagonist Cristiano Ronaldon. Një protestë që do të prekë edhe gjyqtarin e atij takimi, Jose Maria Sanchez Martinez.
Krenar për skuadrën që ai drejton, por në të njëjtën kohë, Zidane kërkon përqendrim maksimal për sfidën e kthimit ndaj Barçës sepse pavarësisht fitores 3-1 në “Camp Nou” janë edhe 90 minuta të tjera për t’u luajtur dhe sipas trajnerit francez Superkupa e Spanjës nuk është ende pronë e Los Blancos.
“Jam krenar për të gjitha ato që kemi arritur gjatë kësaj periudhe. Nuk ka qenë e lehtë për ne për të arritur në këtë pikë ku jemi sot. Kemi një skuadër shumë të talentuar, por të gjithë kanë bërë një punë të madhe. Në futboll asgjë nuk është e sigurtë. Është edhe një ndeshje e kthimit, të cilën duhet ta luajmë mirë, sepse Barcelona është një skuadër e madhe dhe mund të na vendosë në vështirësi në çdo moment. Në ndeshjen e parë, ata krijuan shumë raste kështu që ne duhet ta luajmë këtë sfidë për ta fituar nëse duam të bëjmë tonin trofeun e Superkupës”.