Saga e rrugës së “Arbrit”, Ministria anulon dhe rishpall koncesionin

Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës bëri me dije se procedura e datës 8 gusht 2017 për garën e rrugës së “Arbrit” është anuluar për shkak të gabimeve. Pas korrigjimeve të nevojshme, ky institucion rishpalli garën, duke u hapur rrugë kompanive të interesuara që të shprehin interesin për tenderin që mbyllet më 2 tetor. Rruga e “Arbrit” është pjesë e projektit 1 miliard euro të lakuar nga qeveria Rama në fund të vitit 2016 dhe në fillim të këtij viti.
Sipas detajeve të bëra publike në njoftimin e koncesionit, afati i kohëzgjatjes së ekzekutimit të kontratës është 13 vjet, ndërkohë që vlera maksimale e parashikuar përgjatë gjithë kohëzgjatjes së projektit është 33.6 miliardë lekë. Rruga e “Arbrit” nuk është një projekt i ri, ajo ka nisur zbatimin në kohën e qeverisë Berisha gjatë së cilës u ndërtuan disa pjesë të segmentit.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Transportit, aktualisht rruga është përfunduar plotësisht në 20.12 kilometra, pjesërisht në 15.175 km, janë të paprekura nga punimet 26.3 kilometra. Në total janë 61.6 kilometra të projektuar për gjurmën kryesore. Sipas studimit të fizibilitetit të hartuar rreth vitit 2005, e gjithë gjurma Tiranë-Bllatë sipas këtij varianti pritet të jetë afërsisht rreth 73.5 km e gjatë, çka do të thotë që afërsisht në total 11.8 km rrugë janë ende të paprojektuara (gjatësi në skajin e lidhjes me Tiranën dhe gjatësi në skajin e lidhjes me Bllatën – pika kufitare).
Për projektin ka shfaqur interes më herët kompania ‘Gjoka Construction’, e cila është shpërblyer me një bonus prej 10 për qind të pikëve. Kjo e fundit do të duhet të garojë me kompani të tjera që do të shfaqin interes për koncesionin e përmirësimit, ndërtimit, operimit dhe mirëmbajtjes së Rrugës së “Arbrit”.
Njoftimi pranë APP
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës
Njoftim anulimi të procedurës koncesionare me NR. REFERENCE REF- 23464-08-08-2017
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Adresa Sheshi “Skënderbej”, Nr. 5, Tiranë Tel/Fax +355
4 2 380 750 E-mail [email protected] Faqja e Internetit www.transporti.gov.al
Lloji i Kontratës: Kontratë e punëve publike
Forma e Kontratës: Koncesion/PPP
Objekti i Kontratës: Përmirësimi, ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e Rrugës së “Arbrit”.
Anulohet procedura koncesionare me nr. Reference REF-23464-08-08-2017, pasi janë hedhur gabim të dhënat.