Për zgjidhjen afatgjatë të furnizimit me ujë të Tiranës

Orhan SAKIQI

Kjo ishte tema që në gusht të vitit 2006 Ministria e Punëve Publike ftoi grupe inxhinierësh për trajtimin e saj. Së bashku me grupe të tjerë mori pjesë edhe grupi jonë: Msc. Enkeleda Gjinali, Prof. Dr. Mulnar Koloneci, Ing. Tofik Jegeni, Ing Olsi Haxhiu, Ing. Sadik Zotaj dhe Agim Koci. Një përmbledhje të studimit e botova në atë mot në gazetën ‘Tema’. Këtë e bëjmë për të arsyetuar se çfarë është kryer gjatë këtyre 11 vjetëve në dijeninë tonë, për këtë problem kaq jetik, që kaq shumë po përfolet në këto ditë të nxehta. Studimi shkurtimisht, i shoqëruar me harta ishte simë poshtë:
……Uji është një produkt tregtar, por në të vërtetë është një pasuri, e cila duhet të ruhet, mbrohet dhe trajtohet si e tillë. Çdo specialist i huaj që vjen këtu flet me entuziazëm për burimet e shumta ujore dhe pastaj çuditet për mungesën e ujit që has kudo madje edhe në kryeqytet. Nuk është rasti këtu që të shohim me hollësi këtë mungesë, por shkak parësor mbetet që zgjidhjet teknike të konceptimit dhe projektimit të rrjetit të ujësjellësave ndër vite, kenë qenë provizore, për të kaluar nevojat e çastit ose të pak viteve të ardhshëm. Duke marrë parasysh kërkesën e qeverisë për furnizimin me ujë të pishëm të Tiranës dhe Durrësit mendojmë se ka ardhur koha për një plan strategjik afatgjatë. Kjo zonë sipas të dhënave deri në vitin 2020, parashikohet të ketë mbi 2 milionë banorë. Vetëm qyteti i Tiranës me 580,000 banorë me rritje popullsie 7-8% (2% natyrore dhe 5-7% demografike) parashikohet të ketë në vitin 2020 rreth 1,5 milionë banorë. Për vetë kushtet natyrore të vendit në periudhë kohore jo shumë të gjatë, në këto dy prefektura do të mbidhen rreth 50% e popullsisë së vendit. Studimin e kemi ndarë në tre faza.
Faza e parë deri në verën e 2007
Plotësimi i nevojës për ujë për qytetin e Durrësit dhe zonës së tij turistike për një kohë kaq të shkurtër praktikisht është i mundur, duke marrë ujë nga ujësjellësi i Bovillës ku përpunohen në vitet me lagështirë 99 milionë m3 ujë nga të cilat vetëm 50 milion m3 i merr qyteti i Tiranës. Kemi parashikuar që, afërsisht 1100l/sek t’i jepet Durrësit dhe plazheve të tij. Në parashikimet e herëshme ka qenë menduar që 30 milion m3 ujë t’i jepeshin bujqësisë, por një pjesë e mirë e tokave që parashikoheshin të ujiteshin janë kthyer në zona urbane si: Babru, Çekrezë, Bathore pra, nuk kanë nevojë për ujitje. Megjithatë, sipas shumë studiuesve në botë mënyra se si do të administrohet kalimi i një pjese të ujit nga ujitja për bujqësinë në zonat urbane mund të përcaktojë aftësinë e botës për të ushqyer vetveten.
Sipas këtij parashikimi, në vitet me lagështirë mesatare norma e ujit për banor do të jetë 220 litra në ditë, kurse për zonat turistike dyfishi.
Vlera e përafërt e këtij projekti do të jetë rreth 30 milionë euro, duke përfshirë edhe veprën e pastrimit. Vepra e sotme ekzistuese e pastrimit ka aftësi të përpunojë vetëm 50 milonë m3 ujë që merr Tirana. Në qoftëse do t’i jepet shtesë uji Durrësit në verën që vjen, atëherë nuk ka shumë kohë. Sikurse u tha, qeveria duhet të hapë konkursin për fillimin e projektit. Mjetet më të mëdha do t’i marrë vepra e pastrimit, kurse vendosja e tubacionit përcjellës me diametër 600 mm, nuk paraqet ndonjë vështirësi teknike.
Faza e dytë deri në vitin 2012
Theksojmë që në fillimin e zbatimit të fazës së dytë, do të bëhet vetëm pasi të jetë bërë manaxhimi i mirë i rrjetit të sotëm të ujësjellësit të Tiranës. Me këtë kuptojmë uljen e humbjeve nga 50-60% që është sot, në 25% që janë hubje të pranueshme. Kjo kërkon punë të madhe organizative dhe teknike nga enti shfrytëzues.
Për manaxhimin e rrjetit të Ujësjellësit të Tiranës ka vite që flitet, por praktikisht për zvoglimin e humbjeve është bërë pak. Nuk mund të flitet për ndërtim objektesh të reja kur me ato ekzistuese si: Shën Mëri, Selitë Bovillë e vjetër dhe e re si edhe puset me ngritje mekanike merret rreth 3600l/sek, sasi uji kjo e mjaftueshme për 1,2 milionë banorë me normë 250 litra për banor, pra sa dyfishi i normës zyrtare miratuar në vitin 1992.
Për këtë fazë, deri në vitin 2012, kemi parashikuar ndërtimin e ujësjellësit të Skoranës në lumin Erzen, nëpërmjet një dige që siguron rregullimin e plotë shumë vjeçar të rrjedhjes së lumit. Gryka e Skoranës është në Juglindje të Tiranës, rreth 12 km në vijë të drejtë. Për këtë ujëmbledhës është folur me kohë, madje janë bërë edhe studime pjesore në kohën e ndërtimit të Bovillës. Do të vijë koha të vihet në shfrytëzim ky burim uji kaq afër Tiranës dhe ekologjikisht i pastër. Sipas studimit shumëvjeçar të prurjeve të ujit, të kryera nga hidrologët e grupit tonë, nga ky ujëmbledhës mund të merren 150 milion m3 ujë me prurje 5,6m3/sek. Duke pranuar popullsinë e zonës në vitin 2012 me mbi 1,3 milionë banorë, nga ujësjellësi i Skoranës sigurohet një shtesë prej 250 l. për banor. Kështu, që bashkë me rrjetin ekzistues, norma e ujit për banor do të jenë ato evropiane 450 l. në ditë për banor nga të cilat 250 për nevoja shtëpiake dhe 200 për nevoja komunale. Objektivi i qeverisë është hyrja në BE. Rreth vitit 2016, kështu që një pikë shumë e rëndësishme për jetën e njeriut dhe barazia evropiane plotësohet.
Në fazën e tretë deri në vitin 2020, parashikonim edhe objekte shtesë, të cilat për të mos mërzitur lexuesin nuk po përmend mbase i ka kaluar dhe aktualitetit.
Në atë mot në organet shtetërore porsitëse janë dërguar dokumente teknike më të hollësishme sigurisht për sa i përket kësaj faze të projekt idesë. Përveç grupit tonë kishte dhe grupe të tjerë seriozë që paraqitën ide interesante për marrjen e ujit nga Ulza, nga Guri i Bardhë dhe bilenga Vau i Dejës etj……..
PËRFUNDIME
-Në dijeninë tonë asnjë nga studimet e paraqitura, duke mospretenduar se studimi i jonë ishte më i miri, nuk ka gjetur zbatim, pra shkurtimisht Tiranës nuk i është shtuar asnjë vepër e re e ndërtuar në këto 11 vite që nga viti 2006. Dhe kjo është arsyeja kryesore e gjendje së sotme. Edhe hyrja në BE që parashikohej në 2016 është shtyrë si shkak i dështimit të politikës, të paktën edhe për dhjetë vjet të tjera, si shpjegojnë vetë zyrtarët e lartë evropianë. Rrjedhimisht dështimit të politikës në përgjithësi i është përqasur edhe mos zgjidhja strategjike për furnizimin me 24 orë ujë të pishëm për Tiranën.
– Nuk e mohon njeri që janë bërë rikonstruksione rrjeti si edhe ndërtim rrjete të reja, ndërprerje të lidhjeve të paligjshme, që kanë përmirësuar në zona të veçanta furnizimin me ujë, por sigurisht pa arritur objektivin. Të sigurojnë furnizimin me 24 të banorëve të Tiranës me ujë të pishëm.
-Kryetari i Bashkisë së Tiranës z.Velia thotë që në pesë vjet do të sigurojë furnizim 24 orë ujë që nënkupton heqjen e depozitave dhe rrezervuarëve në çatitë e bodrumet e banesave të Tiranës, duke ngritur çmimin e ujit. Me këtë ngritje të çmimit do të vendosë burime të reja të furnizimit me ujë. Sipas ndërmarrjes burimet e reja të ujit do të jenë shfytëzimi i kapacitetit të Bovillës me veprën e pastrimit, edhe ndonjë burim tjetër natyror, pikërisht ashtu si kemi parashikuar ne 11 vjet më parë, duke përjashtuar sot furnizimin e Durrësit për arsye të kohës së gjatë të kaluar që nga studimi i ynë.
Së pari, nga ana logjike uji si mall shitet sot me një çmim 45 l m3 duke qenë jo i pishëm, pra jo i cilësisë së mirë, i kufizur në kohë, duke ardhur për zona të caktuara edhe një herë në ditë me nga një orë. Ngritja e çmimit mund të bëhet duke përmirësuar mallin e pastaj shitur, e jo me lekët e shfytëzuesit të sotëm, që në masën 30% nuk e paguan atë të arrihet objektivi. Pagesa do të rëndojë si zakonisht në konsumatorin e rregullt. Prof Ahmet Ceni e ka trajtuar ekonomikisht në mënyra shkencore në faqet e kësaj të përditshme para pak ditësh, duke thënë: Financimi i investimeve duke rritur tarifat nuk duhet të jetë drejtimi kryesor i financimit, sepse roli i tarifave është që të përballojë koston e prodhimit dhe të operimit të Ndërmarjes së Ujësjellësit.
Për mendimin tonë pa një strategji të qartë ku protogonist të jetë edhe qeveria ky objektiv është i pa mundur. Shteti duhet të marrë më shumë përgjegjësi. Përsëri Prof. Ceni: Financimi i investimeve të shërbimeve të interesit të përgjithshëm, ku futet edhe uji i pishëm është detyrë kryesore e pushtetit qëndror dhe në buxhetit e tij, ai duhet të planifikojë më shumë përparësi për shërbimet që garantojnë jetën dhe shëndetin e njerëzve dhe pastaj të kalojë në gjëra të tjera, të cilat edhe mund të presin.
Në fund të fundit, çfarë ka më shumë rëndësi për njeriun se sa uji, për një popullsi në rritje të Tiranës, mbase jo plotësisht ajo e shifrave tona të vitit 2006.
Uji duhet të ketë përparësi, të jetë përpara qendrave urbane, fasadave, shesheve me majë e pa majë e çdo zëri tjetër.
Uji sot është një problem botëror. Shkrimtari dhe humanisti amerikan Mark Tuein e ka shprehur përplasjen botërore për ujin me shprehjen: ‘Uiski shërben për t’u pirë, kurse uji për të bërë luftëra për ta siguruar atë.
Neve nuk kemi nevojë për luftëra, sepse e kemi ujin, vetëm në nuk bëfshim luftë me vet vetin sikurse ka ndodhur dhe po ndodh edhe sot…..e kështu Tirana nuk do të ketë ujë edhe 11 vjet të tjera.