Mançester Junajtid i frikshëm në start

Mançester Junajtid i Zhoze Murinjos e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme kampionatin anglez, duke fituar në shtëpi me rezultatin 4-0 ndaj Uest Hemit të Slaven Bilic. “Djajtë e kuq” nuk e kanë diskutuar për asnjë çast fitoren teksa në minutën e 33-të Lukaku gjeti rrugën e rrjetës falë asistit fantastik të Rashford. Në minutën e 53-të ishte përsëri sulmuesi belg që dyfishoi rezultatin pas një gjuajtjeje të saktë me kokë brenda zonës.
Tri minuta para fundit Martial trefishoi rezultatin, ndërsa për t’i vënë “kapak” triumfit mendoi Pol Pogba, i cili me një predhë nga jashtë zone në minutën e 90-të shënoi edhe golin e 4-t.
Ndërkohë në sfidën tjetër të luajtur në orën 14:30, Totenhemi mposhti Njukastëllin në transfertë falë golave të Dele Alit në minutën e 61-të dhe Dejvis në të 70-tën. Vendasit e mbyllën ndeshjen me një lojtar më pak, pasi në minutën e 48-të mesfushori Shelvi u ndëshkua me karton të kuq.