I dënuari me burg ndryshon emrin në Shqipëri, arrestohet në Itali

Një 48-vjeçar shqiptar i shpallur në kërkim për vjedhje dhe dhunë në familje u arrestua nga policia italiane pas tratativave për t’i shpëtuar dënimit me 7 vite burg. Sipas mediave italiane, shqiptari u rikthye në Shqipëri dhe ndryshoi emrin, për të bërë të mundur rikthimin në Itali pa qenë nevoja të shlyente dënimin me 7 vite burg pas 3 urdhër-arresteve që rëndonin mbi të. Mandatet e arrestit ishin lëshuar nga magjistratët e Fierencës për dhunë në familje dhe vjedhje.
Mbrëmjen e djeshme, shqiptari ndodhej në tregun e San Lorenzo-s në Firence, pasi u kap nga policia gjatë një kontrolli rutinë. 48-vjeçari, edhe pse i dha informacione rreth vetes autoriteteve italiane për t’i shmangur ata, u shfaq i dyshimtë dhe kështu policia vendosi të bëjë një kontroll më të imtësishëm. Intuita e policëve nuk gënjeu, dhe policia zbuloi çdo gjë në lidhje me 48-vjeçarin dhe përpjekjes së tij për t’i shpëtuar burgut.