Barça nis përforcimet, blen Paulinhon 40 milionë euro

Paulinho Bezerra është zyrtarisht i Barcelonës, duke u shndërruar në blerjen më të shtrenjtë të katalanasve në këtë merkato. Barcelona bëri publike në faqen zyrtare transferimin në “Camp Nou” të mesfushorit brazilian. Për kartonin e 29-vjeçarit Barcelona do të derdhë në arkat e klubit kinez Guangzhou Evergrande shumën e 40 milionë eurove. Një shifër e lartë kjo për një futbollist 29-vjeçar që vjen nga kampionati kinez, por kjo ishte rruga e vetme që drejtuesit e Guangzhou Evergrande të lejonin largimin e futbollistit të Selecaos.
Këtë të enjte Paulinho do të kryejë vizitat mjekësore me Barcelonën dhe më pas do të prezantohet në stadiumin “Camp Nou”. Paulinho, i cili pëlqehej shumë për karakteristikat që ka nga drejtuesit e Barçës, përfshirë këtu edhe trajnerin Ernesto Valverde, do të firmosë me blaugranat një kontratë 4-vjeçare, ndërkohë që Barça pritet t’i vendosë një klauzolë largimi që kap shifrën e 120 milionë eurove.
Pas Nelson Semedos dhe rikthimit të Gerard Deulofeut, Barcelona realizon një tjetër goditje në merkato, duke përforcuar skuadrën me një emër të rëndësishëm dhe eksperiencë si Paulinho që deri tani numëron 41 ndeshje të luajtura dhe 9 gola të realizuar me përfaqësuesen braziliane, ndërkohë që në të kaluarën e tij ka luajtur edhe me skuadra të tilla si Sao Paulo dhe Tottenham Hotspur.