Dybala merr nr. 10

Paulo Dybala i gëzohet numrit të tij të ri me shpresën se te Juventusi do të ndjekë hapat e një legjende si Alex del Piero. Pas 2 sezonesh si protagonist me numrin 21 mbi shpatulla, sulmuesit argjentinas i është besuar 10-ta e famshme që te bardhezinjtë që pas largimit të ish-kapitenit Del Piero e ka mbajtur mbi supe për vetëm 1 sezon Paul Pogba.
Por me largimin e mesfushorit francez për tek Manchester United verën e kaluar, 10-ta nuk kishte më zot, por në sezonin e ri ajo do t’i përkasë një prej lojtarëve më të talentuar, më spektakolarë që ka patur ndonjëherë Juventusi pikërisht La Joya-s. Është një fanellë speciale, shkruan Dybala në profilin e tij në Instagram, është një nder për mua ta mbaj veshur pasi përfaqëson një përgjegjshmëri shumë të madhe, shton më tej argjentinasi. Për mua është një ëndërr e bërë realitet që nga momenti që kam qenë fëmijë, por tashmë duhet të impenjohem më shumë për të udhëhequr skuadrën time drejt sa më shumë sukseseve, nënvizon Paulo Dybala.
Ndërkohë, Juventus dhe Torino kanë arritur marrëveshje për mesfushorin Tomas Rincon. Mesfushori nga Venezuela, Tomas Rincon është duke kryer testet mjekësore të Torino dhe nga sot do të jetë pjesë e kësaj skuadre.
Rincon është huazuar për dy sezon në Torino me obligim të blerjes. Për huazimin dyvjeçar Juventus do të përfitojë dy milionë euro, ndërsa për shitjen shtatë milionë tjera. Kështu mbyllet aventura e ish-mesfushorit të Genoas në Juventus, i cili kaloi vetëm gjashtë muaj.
Massimiliano Allegri insiston se Leonardo Bonucci nuk u largua nga Juventus për fajin e tij. Mbrojtësi italian, Leonardo Bonuci gjatë kësaj vere u largua nga Juventus për të kaluar në Milan për 42 milionë euro. Në këtë transferim nuk ka gisht trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri.
“Më erdhi shumë keq sepse Leo do të ishte kapiteni i ardhshëm i Juventusit. Do të ishte njeriu i duhur në dhomat e zhveshjes për të transmetuar ADN-në bardhezi”, tha fillimisht Allegri në një intervistë për “Premium Sport”. “Por, bëri zgjedhjen e tij dhe për këtë nuk ka faj askush. Nuk ka faj ai, nuk ka faj shoqëria dhe nuk ka faj as trajneri”.
Allegri ka katër qendërmbrojtës Barzagli, Benatia, Chiellini dhe Rugani, por dëshiron edhe një tjetër në skuadrën e tij. Alternativat e para të Juventusit janë De Vrij i Lazios dhe Ezequiel Garay i Valencias. Por, “Tuttosport” shkruan se Juventus mund të transferojë edhe mbrojtësin e Manchester City-t, Eliaquim Mangala. Është vetë francezi që i është ofruar Barcelonës, duke parë që nuk ka vend në formacionin e Pep Guardiolas. City do të lejonte shitjen e tij, nëse merr një ofertë prej 30 milionë eurove.