Urdhërarreste të reja kundër gazetarëve në Turqi

Sërish qeveria turke vepron kundër mediave. Sipas një raportimi mediatik është urdhëruar arrestimi i 35 gazetarëve. Ata akuzohen për lidhje me predikuesin Fetullah Gylen. Agjencia e lajmeve “Anadolu” bën të ditur, se 9 gazetarë janë arrestuar ndërkohë, por urdhërarrestet janë dhënë për 35 gazetarë. “Anadolu” njoftoi të enjten (10.08), se mes të arrestuarve është edhe redaktori i gazetës kritike “Birgün”. Gazetarët akuzohen për lidhje me predikuesin Fetullah Gylen, të cilin qeveria turke e bën përgjegjës për përpjekjen për puç në korrik 2016. Sipas Anadolu ata akuzohen për anëtarësinë në një organizatë terroriste. Gazetarët akuzohen konkretisht se kanë përdorur shërbimin e mesazheve të celularëve, ByLock. Përmes këtij shërbimi ndër të tjera kanë komunikuar edhe përkrahësit e Gylenit, për përgatitjen e puçit. Qeveria turke e përdor ByLock si provë kundër përkrahësve të Gylenit. Kush e ka këtë App në celularin e tij, sipas Ankarasë është i dyshuar për lidhje me lëvizjen e ndaluar të Gylenit. Sipas autoriteteve turke ky App u zhvillua qëllimisht për lëvizjen Gylen, me qëllim që anëtarët e saj të komunikojnë në mënyrë të koduar me njëri-tjetrin. Sipas tyre ky shërbim nuk gjendej gratis në internet, por dhurohej brenda lëvizjes Gylen. Por shërbimi i BYLock ka qenë ofruar në internet gratis nga shtatori 2014 atë mund ta gjeje e shkarkoje në “Apple App store” dhe nga marsi 2015 në “Google Play Store”.