Sërish tensione SHBA-Kubë, përjashtohen 2 diplomatë kubanë

Uashingtoni ka përjashtuar dy diplomatë kubanë, pasi stafi i ambasadës amerikane në Havana shfaqi simptoma fizike misterioze, sipas Departamentit amerikan të Shtetit.
Një zyrtar i qeverisë i cituar nga agjensia e lajmeve “Reuters” u shpreh se një pjesë e stafit të ambasadës amerikane pësuan humbje të dëgjimit. Mendohet se kjo mund të jetë shkaktuar nga një lloj pajisjeje sonike e vendosur jashtë shtëpive të diplomatëve.
Sipas zëdhënëses Heather Nauert, vitin e kaluar stafi i ambasadës amerikane ishte ankuar për këto simptoma të çuditshme. Edhe pse ato nuk ishin kërcënuese për jetën, Nauert zbuloi se disa persona ishin kthyer në SHBA si rezultat.
Ministria e Jashtme e Kubës është angazhuar në hetimin e këtyre pretendimeve. Zyrtarët e quajtën të pajustifikueshme shkarkimin e stafit kuban, por shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar me Uashingtonin në sqarimin e situatës. Palët i rivendosën marrëdhëniet vetëm në 2015, pas 50 vitesh armiqësi mes dy vendeve.