Sekuestrimi i 531 mijë USD, zbulohet skema si pastronte para vlonjati nga SHBA

Pas sekuestros mbi llogarinë bankare prej 531 mijë USD të një qytetari në Vlorë, Prokuroria e Vlorës ka dhënë argumetet se ky vendim u mor pas gjoja shitjes së të një prone nga qytetari A.A., një shtetasi amerikan në Detroit, SHBA.
Prokuroria zbuloi se ndërmjet vlonjatit dhe amerikanit nuk kishte asnjë kontratë noteriale shit-blerjeje dhe dyshimet u thelluan nga fakti se në të njëjtën shtëpi me amerikanin, prej nga dërgoheshin paratë, banonte një shtetas shqiptaro-amerikan Y.D.
Çuditërisht, vlonjati që pretendonte se kishte marrë paratë nga prona e vet që e shiti, një pjesë të mirë ia dërgonte shqiptarit Y.D që jetonte në Detroit, në të njëjtën banesë me amerikanin.
Ja cilat ishin transaksionet e dyshimta që tërhoqën vëmendjen e Prokurorisë:
Në datën 08.08.2017, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë është regjistruar materiali i referimit të veprës penale i ardhur nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, material i cili bën fjalë për informacionin e marrë nga Policia Gjyqësore lidhur me kryerjen e disa transaksioneve të dyshimta bankare në shuma të mëdha midis shtetasit shqiptar A. A. banues në Vlorë, shtetasit amerikan M. T, banues në Detroit Michigan Usa, si dhe shtetasit Y. D., banues në Durrës dhe me shtetësi amerikane, transaksione për të cilat nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave është urdhëruar bllokimi i përkohshëm deri në verifikimin e transaksioneve dhe burimit të këtyre shumave të parave;
2. Më konkretisht rezulton se në datën 21.06.2017, në llogarinë bankare personale të shtetasit shqiptar A. A, ka mbërritur një transfertë parash në shumën 329.907,40 USD, e dërguar në datën 19.06.2017 me urdhërues shtetasin M. T., banues në Detroit Michigan USA.
3. Në lidhje me këtë transfertë parash, shtetasi A. A. ka depozituar në Bankën xxxxx në të cilin ai vetdeklaron se shuma e parave e ardhur transfertë në llogarinë e tij bankare personale është në përmbushje të detyrimeve të shitblerjes së një pasurie me sipërfaqe 453.60 m2 me adresë Selitë Tiranë;
4. Referuar kësaj deklarate noteriale individuale, rezulton se pasuria e mësipërme do të shitet në një shumë prej 1.300.000 USD, e cila do të paguhet me këste dhe kësti i parë është trasnsferta prej 329.907,40 USD, e dërguar në datën 19.06.2017 me urdhërues shtetasin M. T., banues në Detroit Michigan USA;
5.Nga informacioni i dërguar prej Policisë Gjyqësore rezulton nga trasnsferta e ardhur në llogarinë personale të shtetasit A. A. prej 329.907,40 USD, në datën 11.07.2017 është kaluar në drejtim të përfituesit Y. D. një shumë prej 250.000 USD, me përshkrimin kalim sipas kontratës noteriale.
6. Më pas, shtetasi Y. D. ka transferuar shumën 230.000 USD për konvertim në zyrën e këmbimit valutor e shoqërisë A…. Sh.p.k Durrës, administratori i të cilës në datën 21.07.2017 ka tërhequr para në dorë shumën prej 200.000, duke i depozituar po në të njëjtën datë në llogarinë e shoqërisë F……USD, llogari kjo specifike e përdorur nga zyrat e këmbimit valutor për exchange, shumë e cila është konvertuar në monedhën euro po në këtë datë 21.07.2017, në vlerën 171.673 euro dhe tërhequr në para në dorë po në të njëjtën datë;
7. Ndërsa shuma e mbetur prej 29.990 USD në llogarinë e shoqërisë A…. Sh.p.k Durrës, është tërhequr po në para në dorë në datë 25.07.2017, nga administratori i kësaj shoqërie;
8. Nga shuma e mbetur në llogarinë personale të shtetasit A. A., pas transfertës prej 250.000 në drejtim të shtetasit Y. D. 38.000 USD janë tërhequr në para në dorë në mënyrë të copëzuar nga vet shtetasi A. A. dhe pjesa tjetër prej 31.200 USD gjendet ende në llogarinë bankare;
9. Rezulton gjithashtu, se në datën 02.08.2017, në llogarinë personale të shtetasit A. A. ka mbërritur një tjetër transfertë në vlerën 499.915,78 USD, me të njëjtin urdhërues shtetasin amerikan M. T.
10. Në lidhje me këtë trasfertë bankare, është deklaruar nga shtetasi A. A. se është në pritje të ardhjes së shtetasit M. T. për të lidhur kontratën e shitblerjes së pasurisë së paluajtshme me të.