Liverpool i thotë “jo” Barçës

Merkatoja e kësaj vere vijon të ketë si temë të nxehtë Barcelonën, e cila pas transferimit të Neymar është vënë në lëvizje për të gjetur pasuesin e tij. Kështu në listën e kandidatëve u lakuan emra të ndryshëm për të cilët, katalanasit përpiluan oferta konkrete. E tillë ishte edhe ajo për Philippe Coutinho të Liverpoolit, por ashtu siç raportojnë të përditshmet më të mëdha sportive europiane, The Reds e kanë refuzuar në mënyrë kategorike ofertën prej 100 milionë eurosh të katalanasve për brazilianin. Në të vërtetë trajneri Jurgen Kloop i kishte paralajmëruar drejtuesit e Barcelonës që të ruanin energjitë duke mos u lodhur me tratativa për 25-vjeçarin, sepse ai nuk do të jetë zëvendësuesi i Neymar në “Camp Nou”.
Pas refuzimit të anglezëve Barcelona tani e kthen fokusin në një tjetër kandidaturë, tek Ousmane Dembele, sulmuesi 20-vjeçar i Borussias së Dortmundit, që siç raporton e përditshmja “Bild” pas bisedimeve që vetë lojtari ka patur me drejtuesit e Barcelonës, ka rënë dakord për transferimin në “Camp Nou”, për të mbushur kështu boshllëkun e krijuar nga braziliani Neymar. Gjithsesi, ende asgjë nuk është përcaktuar sepse tashmë në luftë për shërbimet e francezit Dembele, duket se kanë vendosur që të hyjnë edhe Los Blancos. Mbetet ende për t’u parë se çfarë do të ndodhë, por vetë futbollisti sipas asaj që raporton dhe “Bild” nuk dëshiron të vijojë me karrierën e tij te verdhezinjtë dhe i ka kërkuar klubit shitjen tek Barcelona.