Danny Rose drejt largimit nga Tottenham

Pas Kyle Walker, Tottenham-it, mund t’i japë lamtumirën edhe Danny Rose. Mbrojtësi i krahut të majtë, i cili është një titullar fiks edhe në kombëtaren angleze, pëlqehet shumë nga Chelsea i Antonio Contes. Për Rosse kanë shfaqur interes edhe Manchester United e Interi, megjithatë do të jetë e vështirë që Tottenhami të lejojë largimin e një tjetër mbrojtësi, pasi shiti Kyle Walker te Manchester City për 57 milionë euro.
Të premten starton Premier League me Arsenalin që do të presë Leicester City-in, në stadiumin e Emirates. Por këtë takim shumë të rëndësishëm trajneri i topçinjve Arsene Wenger nuk do të ketë shërbimet e sulmuesit Alexis Sanchez. Ish-lojtari i Barcelonës i shumëkërkuar në këtë merkato, pasi mungoi në duelin e Superkupës së Anglisë ndaj Chelsea-it nuk do të jetë i gatshëm as për sfidën ndaj Leicester-it, për shkak të disa dhimbjeve që ndjen në muskujt e barkut.
Mario Lemina, pasi u zyrtarizua si blerja më e re e Southamptonit foli për herë të parë si futbollisti më i ri i skuadrës së shenjtorëve. Jam shumë i lumtur që jam bërë pjesë e Southampton, më bindi projekti i klubit dhe mendoj se kam bërë zgjedhjen më të mirë për të vazhduar karrierën time deklaroi mesfushori nga Gaboni. Kartoni i Lemina i kushtoi klubit anglez 17 milionë euro.
Rafa Benitez këmbëngul për Luca Perez. Trajneri spanjoll e dëshiron me çdo kusht sulmuesin te Newcastle United. Arsenali kërkon 15 milionë euro për të lënë të lirë lojtarin, por për qymyrxhinjtë problemi më i madh qëndron te fakti se Perez përpara një kalimi të mundshëm te Newcastle preferon rikthimin te Deportivo La Coruna në La Liga.
Javier Hernandez është i lumtur për aventurën e re që ka nisur te West Ham United. “Dua të jap maksimumin për të ndihmuar skuadrën dhe pse jo të shfaq këtu të njëjtat cilësi, por edhe të njëjtën grintë e dëshirë si gjatë periudhës që isha pjesa e Manchester United”, deklaroi Chicarito. Jam në formë dhe shpresoj të aktivizohem në sfidën e parë të kampionatit pikërisht ndaj Djajve të Kuq që do të luhet të dielën në “Old Trafford”, shtoi në fund bomberi meksikan.