Bizneset vështirësi në shlyerjen e kredive

Individët rezultojnë më të përgjegjshëm kur vjen puna për të kthyer kredinë në një bankë, në krahasim me bizneset. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2016, vetëm 10% e huasë që ishte dhënë për individët ishte në vonesë prej më shumë se tre muajsh, nga 13% që kishte qenë ky tregues një vit më parë. Historikisht, bankat kanë konstatuar se individët kanë qenë më të rregullt me kthimin e huave. Kjo lidhet me faktin që në pjesën më të madhe ata marrin hua për të blerë një shtëpi për të banuar dhe bëjnë ç’është e mundur për ta paguar atë, në të kundërt rrezikojnë që përmbaruesi t’u marrë shtëpinë. E ndryshme është situata me bizneset. Ato vijojnë të jenë problematike me kthimin e huave që kanë marrë në banka, e cila është në të njëjtin nivel me vitin e kaluar, 21.4%. Në rritjen e fortë të huasë së pakthyer në afat në banka ndikoi dhe përqendrimi i lartë i disa kompanive, ku 35 sipërmarrje krijuan 65% të kredisë së keqe të sistemit. Një pjesë e këtyre kompanive tashmë janë në fazë ristrukturimi, ndërsa për 7 prej tyre ka nisur procedura e falimentimin. Për sa i përket ndarjes së kredive me probleme sipas monedhës, sipas Bankës së Shqipërisë rezulton se, portofoli i kredive me probleme në valutë paraqet një tregues më të lartë me 21.5% (20.3% në fund të vitit të kaluar), krahasuar me portofolin e kredive në lekë me 13.7% (15% në fund të vitit të kaluar). Kreditë në valutë janë marrë më së shumti nga biznesi dhe nga ana tjetër ato janë prekur nga zhvlerësimi i fortë i lekut pas vitit 2008, ku monedha e përbashkët kërceu nga 124 lekë në 140 lekë në periudhën 2010-2015, ndërsa aktualisht ka zbritur sërish në rreth 132-133 lekë. Në maj 2017, treguesi i kredisë me probleme zbriti në 15.86%, në krahasim me 16.6%, që ishin muajin e mëparshëm. Dy vitet e fundit bankat kanë zbatuar procesin e fshirjes së huave, sipas të cilit hiqen nga bilancet e bankave kreditë që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen, ndërsa ato vazhdojnë të ndiqen nga bankat. Huatë me probleme janë ulur ndjeshëm nga niveli i tyre më i lartë prej gati 25%, që arritën në tremujorin e tretë të vitit 2014. Ndonëse të dhënat e INSTAT të publikuara për rritjen ekonomike flasin për përshpejtim, me një zgjerim prej 3.9% për tremujorin e parë, kjo nuk rezulton të jetë reflektuar në treguesit e kredisë (investimeve) dhe depozitave (shtim i kursimeve si rrjedhojë e përmirësimit të mirëqenies). Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, stoku i kredisë për ekonominë zbriti në maj në 554 miliardë lekë, me një rënie prej 854 milionë lekë në krahasim me muajin e kaluar. Rënia mujore ka ardhur nga kredia për sektorët jo financiarë në valutë, që është reduktuar me 3.9 miliardë lekë, duke dhënë ndikimin e vetëm në trendin rënës të huasë. Ndërkohë kredia në lekë për këtë sektor është rritur me 1.3 miliardë lekë. Në rritje gjatë muajit maj ishte kredia për individë, si në lekë dhe në valutë, që u zgjerua me gati 1.8 miliardë lekë. Në total, në krahasim me fundin e vitit të kaluar, huaja për ekonominë ka rënë me 3.1 miliardë lekë, ose 0.6%, duke treguar për një ngërç të investimeve në ekonomi, teksa huaja për biznesin ka rënë me gati 8 miliardë lekë gjatë të njëjtës periudhë. Edhe tendenca e depozitave nuk ka qenë pozitive. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kursimet e shqiptarëve kanë rënë me 4.4 miliardë lekë në muajin maj, në krahasim me vitin e mëparshëm, duke arritur në rreth 995 miliardë lekë. Rënia më e fortë ka qenë nga valuta (-30 milionë euro), por këtu është dhe efekti i zhvlerësimit të euros, teksa treguesi total i depozitave raportohet në lekë. Nëse shihen të dhënat e depozitave vetëm në euro, të raportuara po në monedhën e përbashkët, në maj ato rezultojnë të jenë tkurrur realisht me 17 milionë euro.