11 vatra të reja zjarri vetëm ditën e djeshme, situatë e rëndë në Gjirokastër

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 11 vatra zjarri të reja. Emergjenca Civile njoftoi në mesditë se po vazhdon puna e forcave zjarrfikëse për të shuar zjarrin në afërsi të tunelit të Krrabës në aksin rrugor nacional Tiranë-Elbasan.
QARKU BERAT
Zjarri i rënë te Parku i Bogovës, Bashkia Skrapar, ka vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme. Zjarrfikësit nuk kanë mundur të ndërhyjnë për shkak të terrenit të thyer malor. Pritet ndihma nga helikopteri.
QARKU ELBASAN
Në fshatin Gjinar, Bashkia Elbasan ka vazhduar puna e forcave zjarrfikëse të mbështetura dhe nga forcat ushtarake, për të shuar zjarrin e rënë në shkurre dhe pisha. Ditën e djeshme ka ndërhyrë helikopteri, duke ulur intensitetin e zjarrit të rënë. Operacioni është në vazhdim.
Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 133 punonjës zjarrfikës, 18 automjete zjarrfikëse, 162 personel nga Forcat të Armatosura të Ushtrisë, dhjetëra vullnetarë punonjës të Pyjores dhe të bashkive etj., të mbështetur nga helikopterë dhe 2 avionë të ardhur nga Greqia.
QARKU DIBËR
Në fshatin Madhesh, Bashkia Burrel, zjarri i rënë ka qenë aktiv. Zjarrfikësit dhe forca ushtarake, të pyjores etj., kanë punuar gjithë kohën, por nuk kanë mundur të izolojnë vatrat e zjarrit. Ende vazhdon operacioni për shuarjen e flakëve.
QARKU GJIROKASTËR
Në fshatin Jorgucat, Bashkia Dropull ka vazhduar zjarri i rënë, në një sipërfaqe me shkurre dhe kullotë, i cili ka kaluar më pas në fshatin Muzinë, Bashkia Finiq. Për shuarjen e zjarrit kanë punuar forca zjarrfikëse me automjete, forca ushtarake, dhe forca të bashkive Dropull, Finiq e Gjirokastër. Në operacione, në fshatin Muzinë, janë përfshirë edhe dy avionë të ardhur nga Greqia.
Gjatë operacioneve kanë marrë plagë të lehta dhe 2 punonjës zjarrfikës, por pa rrezik për jetën e tyre. Gjatë mesnatës zjarri ka kaluar në afërsi të ‘Syrit të Kaltër’, midis fshatit Muzinë dhe qytetit Delvinë ku po ndërhyhet me helikopter dhe forcat zjarrfikëse.
QARKU SHKODËR
Në Gruemirë, Bashkia Malësi e Madhe, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pemë frutore. Zjarrfikësit me mjete kanë ndërhyrë, duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 2 ha me shkurre dhe disa pemë frutore.
QARKU FIER
Në fshatin Dukas, Bashkia Patos, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, bar dhe ullinj. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë dhe kanë arritur të shuajnë zjarrin. Si pasojë u dogj një sipërfaqe rreth 0,5 ha me shkurre, rreth 30 dengje bari dhe rreth 50 rrënjë ullinj.

 

Zjarret rrezikojnë Gjinarin turistik

Një masiv pyjor i mbuluar me pisha dhe ahe po digjet në fshatin Derstilë të Elbasanit, duke rrezikuar edhe Gjinarin turistik. Flakët janë duke djegur sipërfaqe të mëdha me shkurre dhe pisha. Për shkak të terrenit të thyer, flakët është e vështirë të fiken. Forcat dhe mjetet tashmë janë pozicionuar në afërsi të zonave të banuara, pasi zjarri po përparon me shpejtësi drejt malit Bukanik. Vetë banorët kanë apeluar për ndërhyrje nga ajri, pasi sipas tyre situata mbetet kritike. Zjarri është i qëllimshëm dhe deri tani janë djegur 20 hektarë me pisha dhe ah.