Zjarrvënia, Prokuroria hetime ndaj bashkive për shpërdorim fondesh

Prokuroria shqiptare ka nisur hetimet në të gjithë vendin për zjarrvënie të qëllimshme nga persona të ndryshëm, të cilët sipas informacioneve të mbledhura nga Agjencitë e Inteligjencës kanë objektiv përfitimet dhe abuzimet me fondet publike dhe dëmtimin e pasurive natyrore.
Sipas verifikimeve të informacioneve për zjarret në terren, prokurorëve u ka rezultuar se këto zjarre janë në 80% të tyre në zona të pabanuara, larg rrugëve kryesore dhe në zona malore çka hedh dyshime se zjarri nuk mund të ndizej vetë qoftë dhe nga temperaturat e larta.
Shuarja e këtyre zjarreve kërkon një mobilizim dhe një faturë shumë të madhe që duhet paguar nga shteti shqiptar. Bazuar në këto referime dhe nga informacionet e raportuara nga shërbimet inteligjente grupi hetimor po analizon dhe të gjitha pagesat e kryera nga emergjencat civile, stacionet zjarrfikëse dhe pushteti lokal në vend.
Bëhet e ditur se, hetuesit do të kontrollojnë dhe veprimtarinë e kryebashkiakëve, të cilët dhe pse kanë detyrim ligjor të krijojnë stacionet zjarrfikëse në të gjithë vendin, 23 bashki as nuk e ofrojnë fare këtë shërbim dhe kjo sipas prokurorëve është shpërdorim flagrant detyrë çka bën me përgjegjësi penale drejtuesit lokalë. Këto hetime kanë nisur vetëm 2 ditë më parë, pasi është analizuar edhe një raport konfidencial i Agjencive të Inteligjencës ku rezulton se zjarret janë krijuar në mënyrë qëllimshme për të dëmtuar kurorat e gjelbërta në vend dhe mjedisin.