Shtyhet sërish debutimi i Neymar

Mund të shtyhet me një tjetër javë debutimi i shumëpritur i Neymar me PSG. Mediat franceze dhe ato spanjolle bëjnë të ditur se transferi ndërkombëtar nuk ka shkuar në zyrat e PSG, kështu që reduktohen shanset për ta parë brazilianin në fushë këtë të diel kundër Guiganp, takim që do të transmetohet në Supersport që ka ekskluzivitetin e Ligue 1, kampionat ku sapo ka zbarkuar ylli i futbollit botëror. Siç bën të ditur “L’Equipe” ka kohë deri mesnatën e së shtunës që PSG t’i dërgojë Ligës Franceze të Futbollit dokumentin që do t’i dorëzohet nga Federata Spanjolle, por te Barcelona ende nuk kanë lëvizur për të lëshuar transferin, duke krijuar përshtypjen se te Barça kanë dëshirë ta zvarrisin çështjen edhe për disa ditë.
Teorikisht, sipas rregullores klubi katalanas ka kohë deri në 18 gusht për t’i dorëzuar federatës spanjolle transferin, periudhë pas së cilës PSG mund t’i drejtohet FIFA-s. Ndërkohë, Neymar vijon rregullisht të stërvitet me skuadrën e tij të re, pasi shijoi dy ditë pushim që ju dhanë nga trajneri Unai Emery, kohë që e shfrytëzoi për t’u relaksuar në Saint Tropez. Debutimi i sulmuesit siç po shkojnë gjërat mund të ndodhë në 20 gusht në PSG-Toulose, në javën e 3-të të Ligue 1.