Shqipëria në flakë, mbi 700 vatra gjatë një muaji

Shqipëria ndodhet në flakë nga Jugu në Veri, ndërsa kryeministri Rama vazhdon i qetë pushimet në ujërat e detit. Mbi 700 vatra zjarri kanë rënë në të gjithë vendin që nga muaji qershor, një shifër e lartë për vendin tonë. Me mijëra hektarë pyje janë shkatërruar gjatë këtyre ditëve. Pasojat që do të sjellë mungesa e pemëve dhe pyjeve do të jetë katastrofike për vendin tonë, thonë specialistë të ndryshëm. Sa shuhet një vatër zjarri, të tjera më të rrezikshme krijohen dhe askush nga Emergjencat Civile nuk di të thotë se edhe sa ditë Shqipëria do të vijojë të jetë në flakë.
Gjatë ditës së djeshme janë riaktivizuar disa vatra zjarri në të gjithë vendin, ndërsa situata paraqitet më alarmante në Tiranë, Elbasan, Berat dhe Gjirokastër. Bëhet e ditur se, në Gjirokastër pranë fshatit Jorgucat është regjistruar një tjetër vatër zjarri. Pas ndërhyrjes së zjarrfikëses u bë e mundur vënia nën kontroll e flakëve, të cilat deri në këto momente vazhdojnë në Qafën e Muzinës, por larg zonave të banuara. Po ashtu, bëhet e ditur se nga zjarri i rënë një ditë më parë në fshatin Turan të Tepelenës janë djegur rreth 74 ha kullotë e shkurre si dhe janë dëmtuar 500 rrënjë ullinj, 900 pemë frutore, por dhe vreshta me hardhi.
Vendi vijon të jetë i përfshirë nga flakët, vatra të reja zjarri që regjistrohen janë kthyer në një kërcënim serioz. Vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar 24 vatra të reja zjarri, ku situatë e vështirë ka qenë edhe në Ulëz të Matit, ku flakët iu afruan zonave të banuara. Pas ndërhyrjes së ushtrisë është bërë e mundur lokalizimi i flakëve, por pa e shuar përfundimisht atë.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar edhe 13 vatra zjarri në disa qarqe të vendit.
QARKU DIBËR
Zjarri në fshatin Madhesh, Bashkia Burrel, ka qenë aktiv duke rrezikuar dhe një banesë. Në Zerqan, Bashkia Bulqizë, kanë qenë aktive 2 vatra zjarri. Bashkë me zjarrfikësit janë angazhuar edhe forca vullnetare si dhe forca të shërbimit pyjor, të cilët po punojnë për të izoluar zjarrin në një terren të thyer malor.
QARKU LEZHË
Në Malin e Rrencit, Shëngjin, Bashkia Lezhë ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pisha. Janë riaktivizuar vatrat e zjarrit pranë Kishës së Shën Ndout në Bashkinë Kurbin. Zjarrfikësit, së bashku me banorë të zonës dhe forca ushtarake kanë shkuar në vendngjarje, por për shkak të terrenit të thyer malor e kanë pasur të pamundur për të vepruar. Është ndërhyrë edhe me helikopter për të lokalizuar vatrat e zjarrit.
QARKU TIRANË
Në fshatin Mushqeta, në afërsi të tunelit të Krrabës ka vazhduar puna e forcave zjarrfikëse për të shuar zjarrin e rënë në pyllin me shkurre dhe dushqe. Zjarrfikësit janë mbështetur edhe nga forca ushtarake si dhe një helikopter. Vatrat e zjarrit janë izoluar përkohësisht. Zjarri i rënë në fshatin Cikallesh, Bashkia Kavajë ka qenë aktiv edhe ditën e djeshme. Zjarrfikësit së bashku me banorë të zonës kanë shkuar në vendngjarje, por për shkak të terrenit të vështirë ka qenë e pamundur për të vepruar. Eshtë ndërhyrë me helikopter dhe vatrat e zjarrit janë ulur, ndërkohë vazhdon operacioni për shuarjen e zjarrit. Në Malin e Derjes pranë fshatit Shëngjergj të Bashkisë Tiranë kanë pasur vatra zjarri aktive. Zjarrfikësit, punonjës së Zonave të Mbrojtura dhe Forca Ushtarake kanë punuar për shuarjen e zjarrit, por ka qenë e pamundur shuarja për shkak të terrenit të thyer malor dhe erës. Pritet të ndërhyhet me helikopter.
QARKU ELBASAN
Në qytetin Librazhdit ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Zjarrfikësit së bashku me 30 forca ushtarake kanë punuar për izolimin e vatrave. Në fshatin Gjinar, Bashkia Elbasan ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë, por për shkak të terrenit të thyer malor dhe sipërfaqes së madhe të zjarrit nuk është e mundur që zjarri të izolohet. Janë dërguar në ndihmë edhe forca ushtarake dhe operacioni është në vazhdim.
QARKU FIER
Në fshatin Ardenicë të Bashkisë Lushnjë ka rënë zjarr në shkurre dhe ullishte. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë dhe më pas me helikopter vatra e zjarrit është shuar plotësisht.
QARKU DURRËS
Në fshatin Kërtushaj, Bashkia Durrës, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha pranë zonës së banuar. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 5 ha me shkurre dhe pisha.
QARKU GJIROKASTËR
Në fshatin Jorgucat të Bashkisë Dropull ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe kullotë. Në vendngjarje janë dërguar mjetet dhe zjarrfikësit bashkë me forca të ushtrisë dhe të bashkisë, por nuk kanë mundur ta shuajnë zjarrin.
QARKU BERAT
Në Parkun e Bogovës, Bashkia Skrapar, zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha ka vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme. Zjarrfikësit nuk kanë mundur të ndërhyjnë në vendngjarje për shkak të terrenit të thyer malor. Pritet që sot të futet në operacion helikopteri për shuarjen e vatrave të zjarrit.

Zjarr i madh në Qafë-Muzinë, bllokohet rruga në Jorgucat
Një zjarr i madh ka rënë dje pasdite në Qafë Muzinë në Gjirokastër, ku nga ky zjarr u rrezikua rruga nacionale, një karburant, dy stane bagëtish dhe një stan me bletë. Policia dhe zjarrfikwsja e Gjirokastrës po punojnë për të normalizuar situatën, e cila është nën kontroll dhe është stabilizuar. Më të rrezikshme e bënte prania e një pike karburanti shumë pranë zjarrit, që u izolua nga zjarrfikësit. Në Gjirokastër zjarret në vend vazhdojnë të bëjnë kërdinë, duke djegur hektarë me pyje, por jo vetëm, dhe pavarësisht se forca të mëdha zjarrfikëse dhe helikopterë janë angazhuar në shuarjen e tyre situata mbetet kritike.
Situata e zjarrit në Gjirokastër është përkeqësuar, dhe sidomos në fshatin Jorgucat, ku vatrat e zjarrit janë zgjeruar dhe mësohet se po i afrohen zonave të banuara. Vatra e zjarrit e rënë pasditen e djeshme në Malin e Gjerë, pranë fshatit Jorgucat është ende aktive. Ndërkohë dje pasdite raportohet se herë pas here ka qenë e bllokuar edhe rruga Qafa e Muzinës-Jorgucat, për shkak të situatës së krijuar nga zjarri. Dhjetwra automjete kanë pritur në radhë.

Zjarret rrezikojnë Gjinarin turistik
Një masiv pyjor i mbuluar me pisha dhe ahe po digjet në fshatin Derstilë të Elbasanit, duke rrezikuar edhe Gjinarin turistik. Flakët janë duke djegur sipërfaqe të mëdha me shkurre dhe pisha. Për shkak të terrenit të thyer, flakët është e vështirë të fiken. Forcat dhe mjetet tashmë janë pozicionuar në afërsi të zonave të banuara, pasi zjarri po përparon me shpejtësi. Vetë banorët kanë apeluar për ndërhyrje nga ajri, pasi sipas tyre situata mbetet kritike. Lidhur me shkaqet e kwtij zjarri, policia po heton edhe për zjarrvënie të qëllimshme.

 

R.POLISI