Shpërthen Murinjo

Reali i Madridit triumfon në Superkupën e Europës për vitin 2017. Skuadra e Zinedine Zidane fitoi trofeun e parë kontinental të sezonit, pasi mposhti në Shkup 2-1 Manchester United të Jose Mourinho. Edhe pse ylli i skuadrës, Cristiano Ronaldo qëndroi në stol, “Los Blancos” nuk kishin vështirësi dhe kaluan në avantazh me golin e Casemiros në minutën e 24-rt.
Në startin e pjesës së dytë Isco dyfishoi shifrat, duke i hapur rrugën suksesit të madrilenëve, me trajnerin Zidane që vazhdon të koleksionojë trofe. Kjo është kupa e gjashtë e fituar nga legjenda franceze në 20 muaj, prej emërimit te Reali në janar 2016. Finalja e pestë e fituar në po kaq të luajtura. Zidane ndoshta nuk është mjeshtër i taktikës, por i dha një leksion edhe Murinjos.
“Ashtu si të gjithë në klub, jam i lumtur për këtë rezultat. Ne luajmë për t’i fituar këto sfida të rëndësishme. Luajtëm një ndeshje të madhe, edhe pse vuajtëm paksa në pjesën e dytë. Triumfuam falë karakterit. Ky është vetëm fillimi, pasi sezoni është shumë i gjatë. Megjithatë, Reali i Madridit është padyshim një prej klubeve më të rëndësishëm në botë”, u shpreh Zidane.
Manchester United nuk i mjaftoi goli i Lukakut në të 62-ën, me trajnerin Murinjo që si zakonisht ngre polemika për një gol në pozicion jashtë loje të Realit. Trajneri i “Djajve të Kuq”, Jose Murinjo, e ka pranuar se kundërshtari ishte më i mirë, por u ankua për golin e parë të shënuar nga Casemiro, duke thënë se ishte pozicion jashtë loje dhe se me sistemin VAR gjithçka do të ishte e barabartë. “Real Madridi ka qenë superior në disa momente, por shënuan një gol nga pozita jashtë loje”, tha Murinjo pas ndeshjes.
“Mund të kishim bërë më mirë, por një prej golave të Realit ishte në pozicion jashtë loje. Nëse do të kishim pamjet video në fushë ndeshja do të mbyllej në barazim dhe do të luanim shtesat. Luajtëm përballë një skuadre me lojtarë fantastikë dhe ndeshja mbeti e hapur deri në fund. Provuam shanset tona dhe e bëmë Realin të vuante. Ne humbëm 2-1. Rezultati ishte i ngushtë dhe ata shënuan një gol jo të rregullt. Me sistemin VAR rezultati do të ishte 1-1”, tha Murinjo.
Pas suksesit, Reali konfirmoi se nuk ka rivalë në Europë, ku pas dy triumfeve radhazi në Champions, erdhi edhe fitorja e dytë radhazi në Superkupën e Europës, e katërta në historinë e klubit madrilen.