Rritja e çmimeve nuk ndalet, tjetër rritje me 2% në muajin korrik

Rritja e përgjithshme e çmimeve në muajin korrik shënoi 2%, por pesha e çmimeve të ushqimeve në këtë rritje ishte 1.71% raportoi dje INSTAT. Më tej çmimet e grupit “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,22 pikë përqindje në rritjen e inflacionit. Çmimet e grupit “mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,17 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “pije alkoolike dhe duhan” dhe “shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje secili.
Çmimet e grupit “transport” dhe “komunikimi” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje secili. Çmimet e grupeve “veshje dhe këpucë” dhe “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” kanë kontribuar me -0,07 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “argëtim e kulturë” kanë kontribuar me -0,03 pikë përqindje. Krahasuar me muajin korrik 2016, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “ushqime dhe pije joalkoolike” me 4,7%, pasuar nga grupet “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,4%, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,1%, “pije alkoolike dhe duhan” dhe “shërbimi arsimor” me nga 0,7% secili, “komunikimi” me 0,6%, “transporti” me 0,4%, etj.
Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 13,7%, pasuar nga nëngrupet “fruta” me 11,2%, “peshk” me 4,3%, “qumësht, djathë e vezë” me 4,1%, “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” me 3,1%, etj. Nga ana tjetër çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u ulën me 3,0%. Ulja më e madhe vjetore e çmimeve vërehet në grupin “veshje dhe këpucë” me 1,7%, pasuar nga grupet “argëtim dhe kulturë” dhe “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me nga 0,1% secili.
Ndryshimi mujor i indeksit është – 0,1 %. Krahasuar me qershor 2017, ulja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupet “argëtim dhe kulturë” me 0,9%, pasuar nga grupet “mallra dhe shërbime të tjera” me 0,4%, “ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,3%, “pije alkoolike dhe duhan” me 0,1%. Rritje mujore e çmimeve vërehet në grupet “veshje dhe këpucë” me 0,6% dhe “transporti” me 0,4%.