Fondi i Emergjencave 30 herë më pak se ai i luksit në Kryeministri

Mungesa e fondeve për emergjencat civile po bën që sot Shqipëria të përballet me një situatë të jashtëzakonshme, ku vatrat e zjarrit po asgjësojnë me mijëra pyje e kullota, ndërsa po kërcënojnë seriozisht banesa e jetë njerëzore. Qeveria nuk e shpall gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të mungesës së fondeve, duke lënë në mëshirë të fatit vendin nga rënia e zjarreve. Ndërsa shpenzohen 30 milionë euro për arredimin e zyrave në kryeministri, për situatën dramatike me të cilën po përballet vendi sot për shkak të zjarreve vet Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli tha se janë shpenzuar vetëm 250 mijë dollarë apo 300 milionë lekë të vjetra. Qeveria ka ulur në minimum fondin e emergjencave për të gjitha llojet e fatkeqësive natyrore. Ky fakt vërtetohet po të shikosh fondet e qeverisë për Emergjencat Civile. Ndërsa në vitet 2013-2014 fondi i Emergjencave Civile ishte më shumë se 6 milionë euro ose 775 milionë lekë, për vitin 2017 ky fond u la nga Rama vetëm 164 milionë lekë. Ulja e tij filloi në vitin 2015, kur nën dirigjimin e Ramës, fondi i Emergjencave u ul në 144 milionë lekë ose rreth 1.2 milion euro, ndërkohë që Rama i shtoi këtij fondi dhe 20 milionë lekë të tjera gjatë përmbytjeve që ndodhën në janar-shkurt të këtij viti, duke e çuar në total në 164 milionë lekë. Kjo është shuma që është parashikuar nga qeveria për Emergjencat Civile, ndërsa Shqipëria është përfshirë nga zjarret. Një shumë qesharake, sa gjysma e parave që Rama harxhoi për ekspozita në New York, Berlin apo Kinën e Largët, si pjesë e pasionit të hershëm të rinisë së tij, por që po e promovon sot, duke përfituar nga benefitet që i jep pushteti dhe administrimi i parave publike. Por në rast se është treguar dorështrënguar për fondet e emergjencës për njerëzit në nevojë, Rama nuk shfaqet i tillë, përsa i përket shpenzimeve vetjake në Kryeministri. Në rast se për tre milionë banorë ai ka akorduar vetëm 1.2 milionë euro për emergjencat e vitit 2017, për Kryeministrinë ka akorduar 30 milionë euro. Shpenzimet janë bërë për fusha tenisi në Kryeministri, kondicionerë (plot 530 mijë euro), 6.7 milionë euro për karrige dhe tavolina, se helbete këto që janë s’ia mbushin syrin liderit global, makina, rikonstruksion të vilës së Mehmet Shehut, që ai përdor për gjumin e drekës dhe të tjera si këto. Pra, Rama shpenzon 30-fishin e fondit që jep për Emergjencat Civile, pasi më emergjente konsideron ngritjen e fushës së tenisit apo vendosjen e kondicionerëve të rinj nëpër ambientet ku rri ai dhe detashmenti i tij, ndërkohë që Shqipëria ndodhet në flakë. Kryeministri harxhon rreth 45 mijë euro për çdo person në Kryeministri, ndërkohë që me ato para mund të shuheshin flakët e zjarreve, duke marrë mjete të specializuara nga jashtë shtetit.

Luksi kryeministror
Edi Rama përgjatë katër viteve të qeverisjes duket se ka pasur një pasion të shfrenuar për rritjen e shpenzime të luksit. Janë ato shpenzime që kanë të bëjnë me mobilime zyrash, makina të shtrenjta për ofiqarët apo shpenzime për rikonstruksione vilash qeveritare etj. Për shembull, për vitin 2017, që ishte dhe vit elektoral, në buxhetin e shtetit ka planifikuar 30 milionë euro shpenzime vetëm për Kryeministrinë. Në vitin 2015 shpenzimet e luksit për qeverinë arritën në shifrën e 91 milionë eurove dhe në vitin 2016 kjo shumë shkoi në rreth 22 milionë euro. Pra, në tre vitet e fundit, vetëm për arredime zyrash dhe jetë sheikësh qeveritarët e mazhorancës me në krye Ramën kanë shpenzuar jo pak, por 140 milionë euro. Për vitin 2017 Rama ka akorduar në buxhet 30 milionë euro për arredim zyrash dhe shërbime të tjera të luksit vetëm në aparatin e kryeministrit. Bazuar në numrin e punonjësve që ka ky institucion, Rama duket se ka akorduar rreth 43 mijë euro në vit për çdo punonjës. Kjo shumë do të ishte e barabartë me pagën vjetore të 1145 pensionistëve ose me rreth 10 mijë bursa studentësh, sa gjysma e atyre që shkelin në një vit në auditore. Shifrat janë kokëforta dhe kjo është pasqyruar dhe në buxhetin e botuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave. Për vitin 2017, Kryeministri do të shpenzojë 530 milionë lekë (të vjetra) ose 350 mijë euro vetëm për blerje kondicionerësh. Një shumë kjo e pamenduar për këtë produkt, por të kemi parasysh çmimet e tyre në tregun vendas, që një kondicioner normal nuk kushton më shumë se 300 euro. Për çfarë i duhen kryeministrit kondicionerë kaq luksozë, ndërkohë që Kryeministria është e pajisur me to? Por për këtë vit, nga buxheti i shtetit, nga taksat e qytetarëve kryeministri do të shpenzojë rreth 6.7 milionë euro për tavolina e karrige, pra për arredimin dhe një milion euro të tjera për blerje makinash. Këto janë shuma astronomike për një vend si i yni, kur njerëzit rrojnë me 5 euro në ditë sipas Bankës Botërore.