Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar për situatën alarmante të krijuar nga flakët e zjarreve në të gjithë vendin. Në një postim në rrjetin social Facebook, Berisha shkruan se, nga fshatrat dhe qytetet lëshohet me të drejtë SOS-i për ndihmë, ndërsa kryeministri freskohet në ujërat e Jonit.
“Të dashur miq, me dhjetëra e dhjetëra vatra zjarri në të katër anët e vendit po i venë flakën Shqipërisë. Nga fshatra, qytete lëshohet me të drejtë SOS-i për ndihmë nga kryeministri që freskohet në ujërat e Jonit.
Duhet thënë se ndihmë e vetme që Noriega ofron në këtë situatë emergjence është përjashtimi i plotë i fjalëve “zjarr”, “flakë” dhe “djegie” nga fjalori i llogoresë së tij të përditshme në mexhlisë dhe media që transmetojnë edhe për-përet e tij!
E vërteta është se kjo është një verë e nxehtë dhe e thatë por vendin po e ndez edhe më flakë indiferenca kriminale e Noriegës. Ka patur vite të tjera të thata dhe shumë të nxehta me vatra të shumta zjarresh, por vendet partnere dhe NATO iu përgjigjën emergjencës së vendit me helikopterë të fuqishëm për shuarjen e zjarreve.
Përveç këtyre, u kontraktuan nga qeveria avionë të mëdhenj nga Ukraina për shuarjen e tyre dhe në tërësi u arrit kufizimi në kohë dhe shuarja e tyre.
Ndërsa sot, jo vetëm që nuk kontraktohen avionë, por as nuk blihen me urgjencë kovat e mëdha të helikopterëve ushtarakë që u blenë edhe për emergjenca të tilla, por në vend të tyre kontraktohen helikopterë të vegjël nga kompani private që mund të përdorin vetëm kova të vogla me efekt të parëndësishëm.
Ndërkohë për Noriegën pushimet vazhdojnë, sepse zjarret në Shqipëri nuk ekzistojnë!
Duke mbështetur të gjitha ata qindra e qindra qytetarë apo dhe punonjës të emergjencës civile e të tjerë që përballen kudo me këtë emergjencë të rrezikshme, dënoj si cinik e të papërgjegjshëm qendrimin e Edvin Kristaq Ramës”, shkruan Berisha.