Turqia paralajmëron një tjetër operacion ushtarak

Turqia po forcon praninë ushtarake në kufirin sirian, ndërsa Presidenti turk Rexhep Erdogan ka shtuar retorikën e tij për një operacion të afërt ushtarak në Siri. Raportohet se, Ankaraja po përpiqet të sigurojë mbështetjen e Moskës për një operacion të mundshëm në enklavën e Afrit në Siri, që tashmë ndodhet nën kontrollin e milicisë kurde të YPG-së.
Ankaraja akuzon YPG-në, që kontrollon pjesë të mëdha të territorit sirian përgjatë kufirit, se është një degë e PKK-së (Partia e Punëtorëve të Kurdistanit) që lufton kundër shtetin turk.
“Do të ndërmarrim hapa të rëndësishëm me qëllim zhvillimin e fushatave të reja në të ardhmen e afërt”, deklaroi zoti Erdogan të shtunën përpara mbështetësve në qytetin turk Malatyas.
Mundësia për një operacion ushtarak është vlerësuar nga të gjitha mediat pro-qeveritare të Turqisë.
Moska ka vendosur forca ushtarake në rajonin Afrin të kontrolluar nga YPG-ja, disa prej tyre thuhet se ndodhen pranë kufirit turk. Por “Turqia sheh një dritare mundësie. Tashmë ka ndryshim në terren mes Rusisë dhe SHBA-së”, thotë diplomati turk në pension Aydin Selcen.
Zoti Selçen thotë se, Moska është e zemëruar nga bashkëpunimi ushtarak në rritje mes YPG-së dhe SHBA-së për largimin e Shtetit Islamik nga kryeqyteti i tij i vetëdeklaruar i Rakës.
Frustrimet e Rusisë u rritën në qershor, kur një avion i Uashingtonit rrëzoi një avion bombardues të qeverisë siriane, që thuhet se kishte në shënjestër forcat e SDF-së (Forcat Demokratike Siriane).
Ankaraja ka rritur bashkëpunimin e saj diplomatik me Moskën, pasi njoftoi muajin e kaluar planet për të blerë një sistem të avancuar të mbrojtjes ajrore të Rusisë. Ministri i jashtëm turk Mevlut Cavusolgu, bisedoi të dielën me homologun e tij rus, Sergej Lavrov ndërsa merrnin pjesë në një takim rajonal në Manila.
Zyrtarët turq, rusë dhe iranianë kanë planifikuar të mbajnë një takim dy-ditor mbi Sirinë, duke filluar të martën në Teheran.