Tre ditët kur vendoset për “ballist” Morinën

Brenda ditës së premte Ballist Morina duhet të dalë sërish në gjyq, aty ku pritet që të përcaktohet edhe fati i tij nëse do të ekstradohet apo do të refuzohet ekstradimi drejt Serbisë. Më 11 gusht është shpallur vendimi i Gjykatës së Apelit, ndërkohë që ministri i Drejtësisë ka gati dosjen që do t’i dorëzojë autoriteteve të drejtësisë kroate për të mos ekstraduar Ballist Morinën.
Federata Shqiptare e Futbollit, në kuadër të përpjekjeve për të ndaluar ekstradimin e Ismail Morinës, i njohur edhe si “Ballist” Morina, nga Kroacia drejt Serbisë, i ka dorëzuar ditën e martë Ministrisë së Drejtësisë një raport mbi vendimin e Gjykatës sportive KAS, për ndeshjen e ndërprerë Serbi-Shqipëri të 14 tetorit 2014 në Beograd.
Në këtë vendim, ku Shqipëria fitoi tre pikët në tavolinë, Gjykata Sportive ka përmendur koret raciste si dhe dhunën e paprecedentë fizike që tifozët dhe personeli i stadiumit kanë ushtruar ndaj lojtarëve dhe stafit teknik të kombëtares shqiptare.
Këto detaje, së bashku me videon përkatëse, pritet të bëhen pjesë e relacionit që ministri i Drejtësisë, Gazment Bardhi shumë shpejt do t’i dërgojë homologut kroat për të bindur qeverinë në Zagreb që të mos e lejojë ekstradimin e Morinës drejt Serbisë, siç ka vendosur Gjykata e Dubrovnikut.
Sipas legjislacionit kroat, pavarësisht vendimeve të marra nga gjyqësori për çështje të tilla, që kanë të bëjnë me ekstradime ku ka pretendime për përndjekje raciste ose etnike, është qeveria kroate që thotë fjalën e fundit.
Përveç relacionit të Ministrisë së Drejtësisë, më herët edhe ministri Bushati deklaroi se pas takimit të dy kryeministrave besonte se Morina nuk do të ekstradohet, duke sjellë si shembull vendimin e Italisë, e cila nuk pranoi dërgimin e tij në Beograd. Ndërkohë, pritet që më datë 11 gusht të zhvillohet seanca paraprake në Gjykatën e Lartë kroate pikërisht për këtë çështje.
Ministri i Drejtësisë z. Gazment Bardhi po punon intensivisht për të ndalë Gjykatën kroate të ekstradojë në Serbi, Ismail Morinën. Në një njoftim për media të kësaj ministrie thuhet se ministri Bardhi në kuadër të mbrojtjes së të drejtave të shtetasit shqiptar Ismail Morina, ka marrë kontakt urgjent zyrtar me autoritetet kompetente kroate, për të argumentuar nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare, pamundësinë e ekstradimit të tij në Serbi. Për këtë qëllim, me shkresën nr. 4782, datë 28/07/2017 drejtuar Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kroacisë, ministri i Drejtësisë i Republikës së Shqipërisë i ka kërkuar zyrtarisht homologut të tij kroat mos miratimin e kërkesës për ekstradim, duke vlerësuar se kërkesa për ekstradim bie ndesh me Konventën e Këshillit të Europës “Për ekstradimin” dhe Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike. Në këtë shkresë, Ministria e Drejtësisë ka marrë angazhimin që në një kohë sa më të shpejtë të përcjellë pranë Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kroacisë të gjitha faktet dhe provat që dëshmojnë se jemi përpara një shkelje politike, për të cilën bazuar në nenin 3 të Konventës së Këshillit të Europës “Për ekstradimin”, nuk mund të akordohet ekstradimi.