Mimi, 300 milionë për zjarret, 1 miliard për zyrën e tualetin

Ministrja e Mbrojtjes ka lënë për dy dytë pushimet, ku ajo pozonte për gazetat e veshur si notare dhe është marrë pak me zjarret. Tallja e qeverisë me zjarret ka vazhduar edhe në mënyrë publike, kur ministrja deklaroi se ministria e saj kishte shpenzuar 30 milionë lekë për shuarjen e zjarreve.
“Ministrisë së Mbrojtjes i kanë kushtuar mbi 30 milionë lekë të reja. I bëj thirrje qytetarëve të na ndihmojnë për ta përballuar këtë situatë, por dhe të mos e krijojnë”, tha Kodheli në një prononcim për median.
A mund të bëhej qeveria më qesharake se deklaratat e ministres së Mbrojtjes. Çfarë janë 30 milionë lekë të vëna në dispozicion për shuarjen e zjarreve, kur shifrat për luksin e qeverisë kapin shumat e qindra miliona eurove? Sot në të gjithë vendin ka më pak se 20 zjarrfikëse që merren me flakët, ndërsa zyrtarisht numri i vatrave të zjarreve në të gjithë vendin ka qenë 640. A do të mundeshin 20 zjarrfikëse të përballonin 640 vatra zjarri?
Ndërkohë, ministrja e Mbrojtjes që përdorte helikopterët e ushtrisë për dërgimin e pllakave për shtëpinë e saj në veri, ka vetëm një helikopter në dispozicion për shuarjen e zjarreve, sepse një tjetër i’u rrëzua me pllakat.
Në Shqipëri, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, foli për një situatë dramatike të zjarreve, të cilat, që prej një muaji janë përhapur në zona të shumta në të gjithë vendin.
“Situata klimaterike është jashtë normales dhe në Shqipëri, për shkak të temperaturave tejet të larta dhe shirave inekzistente. Dhe kjo e ka çuar vendin drejt një situate shumë, shumë të vështirë”, u shpreh ministrja Kodheli.
Për të përballuar gjendjen e krijuar, Shqipëria ka angazhuar dhe trupat e mjetet e ushtrisë së saj. Ministrja Kodheli tha se, forcat e armatosura kanë marrë pjesë në 102 operacione në 9 nga 12 qarqet e vendit, dhe se në këto operacione janë angazhuar afro 40 për qind e atyre që mbajnë uniformën e ushtrisë shqiptare.
Nga ana e tij, drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi, deklaroi se gjatë kësaj vere në të gjithë vendin ka patur 640 vatra zjarri. Në të paktën 125 prej tyre është kërkuar ndërhyrje ajrore. Fundjavën e shkuar u regjistrua një situatë problematike veçanërisht në Parkun e Llogarasë në Jug të vendit, ku për të përballuar shuarjen e flakëve u kërkua dhe ndërhyrja me mjete ajrore nga Greqia dhe Italia.

Zjarret i kushtojnë ministrisë katër herë më pak se tualeti i ministres

Do të ishte që Kodheli të publikonte krahas kostove të operacioneve në shuarjen e zjarreve edhe koston se sa ka kushtuar zyra e saj dhe tualeti i zyrës sipas dokumentave. Për zjarret, ministria e Mbrojtjes ka shpenzuar gati katër herë më pak se për zyrën dhe tualetin e ministres. Kjo është qeveria e dëgjesave. Vendi digjet dhe luksi nuk ndalet.
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli shpenzoi rreth 1 milion dollarë për rinovimin e zyrave dhe tualeteve të saj në ambientet e reja të Ministrisë së Mbrojtjes.
Janë shpenzuar plot një miliard lekë për rinovimin e zyrës së ministres Kodheli dhe stafit të saj të ngushtë, për infrastrukturën e rrjeteve si dhe tualete. Vetëm për zyrat e reja të ministres Kodheli, zv/ministrave dhe këshilltarëve të saj janë shpenzuar plot: 50.172.320 lekë të reja me TVSH.
Vetëm infrastruktura e shtrimit të kabllove dhe rrjeteve, theksojmë këtu, jo ato të sigurisë së veçantë, ka kushtuar plot: 46.788.060 lekë të reja me TVSH.
Ndërsa vetëm rehabilitimi i disa tualeteve, sigurisht më i kushtueshmi ai brenda zyrës së ministres Kodheli, ka kushtuar: 8.656.691 lekë të reja me TVSH.
Kosto, që në total të këtyre shpenzimeve kap shifrën e 105.617.071 lekë të reja me TVSH.
Shpenzime marramendëse po të kesh parasysh krizën ekonomike dhe rënien e të ardhurave në rang kombëtar. E nëse për të mbushur sado pak arkën e brishtë të shtetit, qeveria nuk nguron të presë dritat e të fusë në burg debitorë, vetëm e vetëm se nuk mund të shpërdorohet xhepi i shtetit, duket se në Ministrinë e Mbrojtjes ky xhep është shpuar paksa dhe ministrja Kodheli i ka rënë me top shpenzimeve për akomodim luksi të saj dhe stafit të saj.
Por, ajo që e bën akoma më të rëndë këtë shpenzim luksi të ministres Kodheli është mënyra e tenderimit një miliardësh për luksin në zyrat e reja.
Ministrja Kodheli ka preferuar që këtë tender ta parapërcaktojë për firmën fituese, pasi ka zgjedhur jo tenderimin e hapur, por atë të mbyllur e të kufizuar me negociim.
Ky variant tenderimi sipas ligjit të prokurimit publik, bëhet vetëm në rastin kur kemi të bëjmë me tenderime me objekt strategjik dhe kur produkti mban një rëndësi të veçantë dhe përmbajtje sekrete.
Por se çfarë përmbajtje sekrete përmbajnë banjot e znj.Kodheli, parketi i ri, kolltuqet dhe tavolinat e reja të zyrave të saj, vetëm ministrja Kodheli dhe grupi prokurues brenda Ministrisë së Mbrojtjes mund të japin shpjegim.
Aspak sekret dhe të rëndësisë së veçantë nuk janë as kabllot e reja të shtruara, që kanë kushtuar rreth 50 milionë lekë të reja, pasi sistemi i komunikimit me NATO-n dhe Qendra Operacionale kanë qëndruar në zyrat e vjetra, ku aktualisht janë transferuar Ministria e Financave dhe ajo e Ekonomisë.
Kjo është shkelja më e rëndë, përveç shpenzimit marramendës me shifra stratosferike, që Ministrja Kodheli ka bërë. Përdorimi i prokurimit të kufizuar për mallra dhe shpenzime që i përkasin prokurimit të hapur.