Korea e Veriut nuk e ndal projektin bërthamor

Koreja e Veriut bëri të ditur të hënën se do të vazhdojë programin e saj të armëve bërthamore, duke hedhur poshtë thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare për të frenuar veprimet e saj ushtarake agresive.
Misioni i Phenianit në Kombet e Bashkuara pretendoi se, sanksionet e reja të Kombeve të Bashkuara kundër Koresë së Veriut lidhur me provat e saj me raketa ishin një “shkelje flagrante ndaj sovranitetit të vendit”. Mediat shtetërore pretenduan se ato ishin rezultat i një “komploti të urryer të SHBA-së për të izoluar dhe mbytur” vendin komunist.
Koreja e Veriut tha se kurrë nuk do të negociojë programin e armëve bërthamore apo të raketave balistike si dhe se do t’i jepte Shteteve të Bashkuara një “mësim të ashpër” me forcë bërthamore strategjike, nëse Uashingtoni ndërmerrte veprime ushtarake. Komentet u bënë gjatë një takimi rajonal të vendeve të Azisë Juglindore në Manila.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson tha të hënën se hapi më i mirë që Koreja e Veriut mund të ndërmerrte për të sinjalizuar se është gati për dialog, do të ishte ndalimi i provave me raketa.
Zoti Tillerson foli për gazetarët në Manila, ku ndodhet për të marrë pjesë në Forumin Rajonal të Vendeve të Azisë Juglindore.
Sipas tij, votimi njëzëri i së shtunës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për miratimin e sanksione të reja kundër Koresë së Veriut si përgjigje ndaj provave me raketa balistike, dërgon mesazhin se e gjithë bashkësia ndërkombëtare i sheh veprimet e vendit të papranueshme dhe se pritshmëritë e tyre janë një gadishull korean i çnuklearizuar.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Donald Trump dhe ai i Koresë së Jugut, Moon gjatë një bisede telefonike u angazhuan të zbatojnë plotësisht të gjitha rezolutat e Kombeve të Bashkuara lidhur me Korenë e Veriut dhe të “nxisin bashkësinë ndërkombëtare që të bëjë të njëjtën gjë”.