Zjarret djegin Shqipërinë, pushteti vendor merr pushime

Zv.ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, ka folur për situatën e krijuar nga vatrat e zjarrit në vend, ndërsa tha se forcat e ushtrisë janë të angazhuara maksimalisht në vënien në kontroll të situatës. Ndërkohë që ka evidentuar edhe problematikën që është evidente me Emergjencat Civile dhe kalimin e tyre në kompetencat e pushtetit vendor. Petro Koçi ka kritikuar ashpër drejtuesit e pushtetit vendor në lidhje me menaxhimin dhe funksionimin e sistemit zjarrfikës. “Pjesa e Emergjencave Civile është për t’u riparë, ka nevojë për ristrukturim, për menaxhim më të mirë të burimeve njerëzore. Është pa kuptim që forca e armatosur ndërhyn, ndërsa titullarët e pushteti vendor janë me pushime apo ata të mjedisit”, tha Petro Koçi. Kujtojmë se nga 61 bashki në vend, shërbim zjarrfikës ofrojnë vetëm 38 prej tyre, ndërsa në 23 bashki shërbimi zjarrfikës nuk ekziston.