Vendi në emergjencë të pashpallur

Situata me zjarret në vend vijon të jetë shumë problematike. Vetëm në 24 orët e fundit në të gjithë vendin janë shënuar 10 vatra zjarri, në Vlorë, Elbasan, Dibër, Durrës, Tiranë dhe Tepelenë. Ndërkohë që pasditen e kësaj të hëne u riaktivizua vatra e zjarrit në Njësinë Administrative Ulëz të Matit. Mësohet se zjarri u është afruar shtëpive çka ka bërë që banorët të alarmohen dhe të kërkojnë ndërhyrjen e shërbimit zjarrfikës. Pavarësisht nga përpjekja e zjarrfikëseve, era dhe terreni i vështirë malor, favorizon përhapjen e flakëve.

Dibër, zhduken sipërfaqe me pisha dhe lisa
Në vendin e quajtur “Gurra e Sllatinës” në fshatin Sllatinë, Njësia Administrative Sllovë, Bashkia Dibër, u kryen operacione nga ajri për shuarjen e zjarrit. Si pasojë e zjarrit u përshkrua një sipërfaqe rreth 20 ha me pemë pishe. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe rreth 6 dynym me dushk të ulët dhe pemë lisi.

Fshatrat e Vlorës prej një jave nën zjarr
Zjarri i rënë disa ditë më parë, në një sipërfaqe me shkurre, në fshatin Tragjas, Njësia Administrative Orikum, Bashkia Vlorë ka vazhduar edhe ditën e djeshme. Shërbimi i MZSH Vlorë nuk ka mundur të shkojë në vendngjarje për shkak të terrenit të vështirë. Zjarri u vu nën kontroll pasi në ndihmë kanë ardhur 2 avionë nga Greqia, të cilët sipas komunikimeve të bëra në QKOEC, kanë kryer 2 hedhje me ujë në vatrat e zjarrit që ishin shumë problematike. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre.

Elbasan, operacionet për shuarjen e zjarreve dështojnë
Në Liqenin e Dushkut, Njësia Administrative Lenie, Bashkia Gramsh, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shërbimi vendor i MZSH Gramsh, ka shkuar në vendngjarje, por e ka pasur të pamundur për të vepruar me automjet zjarrfikës për shkak të terrenit të thyer malor. Forcat ushtarake kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë punuar, por nuk kanë arritur të shuajnë zjarrin. Operacioni për shuarjen e zjarrit po vazhdojnë, por pa sukses. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e kosiderueshme me shkurre dhe pisha.

Berat, zjarret fitojnë terren
Tek Parku i Rezervatit të Bogovës, Njësia Administrative Bogovë, Bashkia Skrapar, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shërbimi i MZSH Skrapar nuk ka mundur të shkojë në vendngjarje për shkak të terrenit të thyer malor. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me pisha dhe shkurre.

Durrës, digjen sipërfaqet me ullinj

Në fshatin Zgërdhesh, Njësia Administrative Fushë-Krujë, Bashkia Krujë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me ullinj. Si pasojë e zjarrit u dogjën rreth 200 rrënjë ullinj.

Tiranë, forcat ushtarake nuk shuajnë dot zjarrin
Në afërsi të tunelit të aksit nacional Tiranë-Elbasan, Njësia Administrative Krrabë, Bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Shërbimi vendor i MZSH të Bashkisë Tiranë ka dërguar në vendngjarje 2 automjete zjarrfikëse me personelin shoqërues. Forcat ushtarake kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë punuar, por nuk kanë arritur të shuajnë zjarrin. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e kosiderueshme me shkurre. Në afërsi të Repartit të Gardës, në Malin e Dajtit, Bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha.