PSG, gati për një tjetër çmenduri

PSG nuk e ka mbyllur merkaton me ardhjen e Neymar në këmbim të 222 milionë eurove, teksa ditët e ardhshme do të synojë edhe sulmuesin e Monacos, duke bërë një ofertë të majme për Mbappe. Sulmuesi i ri francez ka kapur vëmendjen e klubeve të mëdha në Europë dhe lëvizja e tij duket e afërt, edhe pse Monaco ka kërkuar 180 milionë euro neto. Deri më tani, Real Madridi është ekipi më i mirëvendosur ndaj tij. Mbappe kurrë nuk e ka fshehur admirimin e tij për Cristiano Ronaldon dhe të luajturin në krah të tij. Portugezi mund të jetë një nxitje për lojtarin 18-vjeçar, që të kalojë në “Santiago Bernabeu”. Por, problemi mund të jetë gjetiu. “Los Blancos” preferojnë që Mbappe të qëndrojë një vit më shumë në Principatë, që të rritet, ndërsa PSG e dëshiron ta marrë këtë verë dhe të pagëzojë trident-in MCN (Mbappe, Cavani, Neymar). Gjithsesi, ekipi parisien do të ketë probleme. Më i vështiri për t’u zgjidhur do të jetë ekonomik dhe se si të mos bjerë në grackën e “fair-play”-it financiar. Pasi kaloi 222 milionë euro për Neymar, tani i duhen të gjejë mënyra të tjera për të financuar një nënshkrim të ri e të tillë në merkato. Duke pasur parasysh se Neymar do të kushtojë rreth 120 milionë euro në vit, midis nënshkrimit dhe pagës, PSG është i detyruar të shesë edhe këtë verë, sipas “Le Parisien”. Krychowiak, Jese dhe Aurier, këto janë tre lojtarët që i kanë dyert të hapura. Në fakt, opsioni më fitimprurës për PSG do të jetë shitja e Angel di Maria. Nga argjentinasi priten të merren rreth 70 milionë euro. Ditët e fundit ai ka folur për interesin e mundshëm të Barcelonës, për miqësinë e tij me Messin. Edhe Draxler mund të jetë viktima më e madhe e ardhjes së Neymar. Gjermani arriti 8 muaj më parë në bazë të një operacioni prej rreth 40 milionë eurosh. Ai shpejt i ka fituar zemrat e tifozëve të PSG, por mbërritja e brazilianit e bën të vështirë aktivizimin e tij. Të dielën agjenti i tij ishte në Barcelonë.