Policia i dorëzon krimit autorin e videos së atentatit

Tre ditë më parë në Tiranë rreth orës 19:40, në rrugën “Sulejman Delvina”, katër persona të armatosur tentuan të vrisnin të riun Lorenc Hoxha.
E gjithë kjo ngjarje e cila tronditi kryeqytetin është sjellë nëpërmjet një kamere amatore, ku makina që ndodhej pas autorëve ka filmuar të gjithë skenën, duke u bërë një ndihmesë shumë e madhe për Policinë për identifikimin e autorëve.
Në pamje duken 4 të rinjtë, mes tyre atentatori Dejvis Rustemaj, i cili  i afrohet mjetit të Lorenc Hoxhës, hap derën e makinës dhe e qëllon me armë zjarri, ndërsa ky i fundit manovron me shpejtësi, duke u larguar. Menjëherë pas tij largohen me shpejtësi dhe autorët e krimit.
Pak ditë më vonë edhe Policia publikoi një tjetër video nga një tjetër pozicion, marrë nga kamerat e Bashkisë të vendosura në kryqëzime. Në këtë video, policia është siguruar që të fshehë targat e makinave të autorëve dhe objektivit të atentatit, si dhe fytyrat e tyre, por me ose pa qëllim targa e makinës që ka filmuar të gjithë ngjarjen nuk është fshirë nga pamjet, duke e nxjerrë atë zbuluar përballë atentatorëve të Lorenc Hoxhës.
Ndoshta nga nxitimi për të publikuar sa më shpejt videon e ngjarjes për t’u treguar të gjithëve se kanë bërë punën e tyre në një kohë rekord, ajo nuk është kujdesur aspak për personin që i ndihmoi ato për të identifikuar autorët.
Dhe në këtë rast, ndodh ajo që nuk ishte menduar të ndodhte. Policia është bërë shkak ndoshta për ndezjen e një konflikti të ri mes katër të rinjve Dejvis Rustemajt, Klajdi Kodrës, Igler Qoses, Ardit Xheferrit dhe personit që i flimoi ato.
E ndërsa në shumë vende të tjera të botës, Policia i mbron persona të tillë, madje u jep edhe shpërblime, Policia shqiptare i lë zbuluar ato, duke vënë në rrezik jetën e tyre.
Policia fatkeqësisht, pasi i  dekonspiron shpesh kërkon publikisht edhe bashkëpunimin e qytetarëve për të zbuluar autorët e ngjarjeve kriminale, por në fakt është vetë ajo që i nxjerr zbuluar përballë autorëve të krimit.