Bartomeu: Askush nuk mund të jetë mbi Barçën!

Josep Maria Bartomeu ka folur për herë të parë pas nënshkrimit të Neymar te PSG-ja. Ai e ka bërë këtë gjë në Kongresin Botëror të Përkrahësve të Barcelonës. “Neymar është pjesë e historisë. Ai donte të largohej. Çdo gjë e ka një kufi dhe askush nuk mund të jetë mbi klubin. Ne njoftuam transferimin në UEFA. Donim ta parandalonim largimin e Neymar, prandaj kishim vendosur një klauzolë shumë të shtrenjtë. Parisienët arritën ta paguajnë klauzolën, lojtari u largua nga Barcelona dhe ne tashmë jemi duke punuar për të gjetur zëvendësuesin.
Nëse do të qëndronte, ne do të mbanim një lojtar të madh. Ne jemi një klub me 118 vjet histori, me lojtarë të mëdhenj, me mbi 140,000 anëtarë, kemi partnerë të shumtë, por nuk jemi sheikë apo oligarkë. Ne si klub kemi Leo Messin si shembull. Angazhimi dhe besnikëria e tij duhet të jenë pikë referimi apo Andres Iniesta. Leo Messi, futbollisti më i mirë ndonjëherë, do të mbetet lider i ekipit tonë. 222 milionët e marra nga shitja e Neymar JR do të përmirësojnë trashëgiminë tonë”.