Tjetër përplasje me armë në Tiranë

Një person me inicialet Xh.D., ka bërë një denoncim në polici pasi pretendon se është gjuajtur me armë zjarri nga një person. Ngjarja është regjistruar në hyrje të repartit ushtarak në kryeqytet. Policia ka nisur hetimet dhe deklaron zyrtarisht se personi që ka denoncuar ngjarjen fatmirësisht ndodhet në gjendje të mirë dhe nuk ka marrë plagë. Sipas informacionit paraprak nga burimet e policisë së Komisariatit Nr. 6 në Tiranë, më datë 03.08.2017, në numrin 112 ka ardhur një telefonatë nga shtetasi Xh.D., i cili pretendon se në hyrje të repartit ushtarak, i kanë gjuajtur me armë. Mësohet se ai nuk është dëmtuar. Janë dërguar shërbimet, punohet për sqarimin e rrethanave. Rendi në vendin tonë është në një gjendje alarmante. Mbrëmjen e së enjtes një përplasje me armë zjarri është shënuar rreth orës 19:55, në lagjen “Komuna e Parisit” në Tiranë. Për pasojë mbeti i plagosur 24-vjeçari Lorenc Hoxha. Hoxha është qëlluar nga disa persona që po qarkullonin me një automjet tjetër. Ngjarja ka nisur në kryqëzimin e “Komunës së Parisit” për të vijuar më pas në rrugën “Sulejman Delvina”. Sipas dëshmitarëve 24-vjeçari nga Bulqiza është plagosur në shpatull dhe në pamundësi për të drejtuar automjetin është përplasur me një nga shtyllat e kësaj rruge. Automjeti ka përfunduar në hyrje të pallatit. “Nga hetimet paraprake ka rezultuar se ka pasur një shkëmbim zjarri midis disa mjeteve, ku për pasojë ka mbetur i plagosur në shpatull shtetasi Lorenc Hoxha, 24 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve”, sqaron policia. Më pas ai u shoqërua nga disa persona në spital, ndërsa automjeti ka përfunduar në hyrje të pallatit. U ngritën pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.