Skandal i Postës me tenderat

Një denoncim ka ardhur në redaksinë e  Syri.net lidhur me tenderat që zhvillon Posta Shqiptare. Denoncuesi e konsideron skandal tenderin më të fundit zhvilluar në maj, ku kompanive të thirrura në tender iu jepej një adresë mashtruese dhe tenderi realisht zhvillohej në një ambient tjetër.
Denoncuesi po ashtu jep edhe provat e këtij skandali.
Ja çfarë shkruan ai:
Skandal tek Posta Shqiptare: publikon adresë tjetër të zhvillimit të tenderit, nga kjo ku realisht bën hapjen e ofertave dhe marrjen e modeleve. Në datë 10 korrik 2017, Posta Shqiptare zhvilloi tenderin me objekt  “Blerje shtypshkrime 2017” me fond limit 50.593.702 lekë pa tvsh. Një nga kriteret për t’u kualifikuar ishte paraqitja e modeleve në datën dhe orën e hapjes së ofertave.
Në dokumentat standarde të tenderit, adresa e publikuar ishte: “Posta Shqiptare sha, Terminal Center, Kthesa e Kamzës, Tiranë”.
Ndërkohë që në mënyrë totalisht të jashtëligjshme, por me sa duket edhe të qëllimshme, hapja e ofertave nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave si edhe pranimi i modeleve të kërkuara u bë në godinën e Postës, tek rruga “Reshit Çollaku”.
Ky ndryshim i paralajmëruar dhe i papublikuar më parë, madje as edhe kur Posta vendosi të ndryshojë disa kritere si pasojë e ankesave të shumta nga operatorë të ndryshëm në lidhje me kriteret diskriminuese të vëna, krijoi konfuzion tek kompani të ndryshme të cilat iu drejtuan zyrave në adresën e publikuar në dokumentacion.
Kjo “surprizë” i vuri kompanitë në vështirësi, pasi kur mësuan se ku po bëhej procedura ishte tepër vonë dhe KVO i skualifikoi për mosardhje në orar.
Shprehja “duke pyetur gjen Stambollin” nuk vlen për KVO-n e Postës, e cila preferon të luajë kukamçefti me kompanitë.
Është për t’u theksuar fakti që edhe mbas 4 vitesh, KVO e Postës ka një gjë që s’ndryshon asnjëherë: emrin e fituesit!!! Nga 8 kompani, 7 rezultojnë të skualifikuara, vetëm një e kualifikuar.
Sigurisht, nga ta gjenin KVO-n?!
Të njëjtin rezultat ka edhe tenderi tjetër për “Prodhimin e Pullave”, po i njëjti emër fiton.
Gjithashtu, Komisionit të Vlerësimit të Ofertave po i bashkëngjitim edhe foto të reklamës së Postës Shqiptare tek Terminali Center, të bëra në datat 26 – 28 korrik.
Pra, Drejtoria e Postës aty vazhdon të jetë, veç KVO ka marrë drejtim të paditur. Duhet lajmëruar Prokuroria t’i gjejë, se të tjerët nuk kanë shanse!