Napoli “gjen” Balotelli-n

Është hedhur shorti i “play off” të Champions League, që ka përcaktuar 10 çiftet nga ku do të jepen 10 biletat e fundit për të kompletuar fazën me grupe të veprimtarisë më të rëndësishme në rang klubesh në të gjithë Europën. Skuadrat që do të kualifikohen në sfidën e dyfishtë do të vazhdojnë ëndrrën, ndërsa ekipet e eliminuara do të ngushëllohen me praninë në grupet e Europa League. Napoli do të ndeshet me Nice dhe për Mario Balotelli do të jetë një rikthim si kundërshtar në Itali. Një tjetër sfidë interesante do të jetë ajo mes Hoffenheim dhe Liverpool. CSKA e Moskës do të ndeshet me Young Boys, Celtic pret Astana, ndërsa Sevilla do të ndeshet me nënkampionët e Turqisë, Istanbul Basaksehir. Ndeshjet do të luhen më 16 gusht dhe 24 gusht.