Dyshime policisë për atentatin

Dyshimet mbi veprimet e policisë në një aksion antidrogë në zonën “Don Bosko”, ku mbeti i plagosur Blendi Peca, po shtohen.
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) i nisi menjëherë hetimet.
Policia njoftoi se 27–vjeçari u plagos nga plumbat që agjentët e antidrogës qëlluan drejt gomave të makinës që nuk pranoi t’i bindet urdhrit të efektivëve të saj.
U tha, në njoftimin zyrtar, se makina rrezikoi jetën e punonjësve të policisë.
Policia deklaroi gjithashtu se agjentët e antidrogës kishin informacion se Blendi Peca, së bashku me dy personat e tjerë që gjendeshin në makinë me të, Ardit Murati, 24 vjeç dhe Shehat Murati, 50 vjeç, “qarkullonin në qytet të armatosur dhe ushtronin aktivitetin e kundraligjshëm të shitjes në sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike të llojit kokainë në zonën e Don Boskos”.
Për këtë arsye, reagimi ndaj tij ishte me armë.
Ishte akoma pa u errësuar kur agjentët e policisë, të veshur me jelekun multifunksional me mbishkrimin “Policia”, i bënë shenjë ndalimi makinës “Citroen” që drejtohej nga Peca, por mjeti nuk ka ndaluar.
“Ka kryer manovra lëvizjeje të rrezikshme për jetën e punonjësve të policisë”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe “në këto kushte punonjësit e policisë kanë nxjerrë armën e brezit dhe kanë qëlluar në ajër duke dhënë përsëri urdhër ndalimi, por drejtuesi i mjetit nuk është bindur, ka vijuar tentativën për t’u larguar”.
Dhe pasi makina ka vazhduar rrugën, “punonjësit e policisë kanë shënjestruar dhe qëlluar gomat e mjetit dhe kur janë afruar kanë vënë re se është plagosur lehtë, drejtuesi i mjetit, shtetasi B.P., 27 vjeç, i cili u dërgua në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën”, saktësohet në njoftim.
E gjithë ngjarja, si në një skenë filmash hollivudianë, ka ndodhur në orën 19.30 të së mërkurës, në një zonë të mbipopulluar, në një rrugë me lëvizshmëri të lartë nga këmbësorët dhe makinat, si ajo e “Don Boskos”.
“Agjentët e antidrogës kanë qëlluar 13 plumba”, thanë gjithë indinjim familjarët e Pecës në Gjykatën e Tiranës, pasi u vendos që ai të qëndronte në burg së bashku me mikun e tij, Ardit Murati. Ndërsa Shehat Murati do të jetë me “detyrim paraqitje”.
“Agjentët e kanë përplasur mjetin, kanë ushtruar dhunë dhe kanë qëlluar me armë në drejtim të tij”, thonë familjarët.
Gjendja e 27–vjeçarit është përkeqësuar.
Gjatë kontrollit që policët ushtruan në makinën e tij gjetën 385 gramë kokainë.
Por përdorimi i armëve nga ana e policisë ka ngritur pikëpyetje të mëdha. Dyshimet e SHÇBA janë për shkelje të ligjit të përdorimit të armëve, pasi nga të dyshuarit nuk ka pasur as përdorim të armëve të zjarrit dhe ata nuk kanë qenë as në posedimin e tyre.
Situatën e rëndon fakti se është qëlluar në një zonë të populluar, në mes të rrugës.
Akuzat e familjarëve të Pecës se në makinën tij janë 13 plumba, i shtojnë dozat e dyshimit për reagimin e policisë.
A duheshin derdhur aq shumë plumba për të kapur një shpërndarës droge? A duhej qëlluar në mes të ditës pa u marrë në konsideratë fakti se operacioni po zhvillohej në një zonë të banuar, me densitet të lartë lëvizjeje?
Për të gjitha këto do të duhet të përgjigjen agjentët e antidrogës para SHÇBA, organit që heton veprimet e punonjësve të policisë.
Nëse do të konstatohet shkelje e ligjit, bashkë me trafikantët, para drejtësisë pritet të përfundojnë edhe policët.

Policia në makinën e trafikantit të drogës

Zbulohen detaje të reja në lidhje me operacionin antidrogë të disav ditëve më parë në zonën e “Don Boskos”, në kuadër të së cilit u arrestuan tri persona.
Raportohet se makina që përdornin agjentët e antidrogës mbëmjen e 1 gushtit, për të ndjekur të dyshuarin Bledi Peca, i përkiste një të arrestuari për trafik droge. Bëhet fjalë për një makinë me ngjyrë të bardhë, e cila rezulton të jetë sekuestruar, por që përdorej për punë nga agjentët e antidrogës.
Pas përplasjes me makinën “Citroen” në ngjyrë bojëqielli me të cilën lëvizte i dyshuari Bledi Peca, duken qartë shenjat e dëmtimit edhe në mjetin e përdorur nga policët.