Trump kërkon largimin e komandantit të ushtrisë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka propozuar largimin nga pozita e komandatit të ushtrisë së SHBA-së në Afganistan, John Nicholson, pas frustrimit se lufta kundër talebanëve është bllokur, kanë raportuar mediat.
Trump ka qenë tejet nervoz për mungesën e zhvillimeve në këtë çështje, gjatë një takimi në muajin e kaluar me këshilltarët e tij dhe ka kërkuar të informohet se cili do të jetë fundi i një lufte që ka zgjatur për 16 vjet, kanë raportuar “AP”, “Reuters” dhe media të tjera, duke cituar zyrtarë amerikanë anonimë.
Sipas tyre Trump ka thënë se sekretari i Mbrojtjes, James Mattis dhe stafi i tij duhet të konsiderojnë largimin e gjeneralit John Nicholson nga pozita e komandatit të forcave amerikane në Afganistan, pasi nuk është duke e fituar luftën.
Agjencia e lajmeve “Reuters”, ka raportuar se, Trump, ka thënë që SHBA-ja duhet të kërkojë nga Afganistani, një pjesë të fitimeve që ka ky vend nga pasuria minerale, e cila llogaritet të jetë në vlerë të 1 trilion dollarëve, në këmbim të ndihmës amerikane në qeverinë afgane.
Trump po ashtu është ankuar për fitimet e Kinës në minierat e Afganistanit, derisa SHBA-ja është duke shpenzuar për luftë.
Ky takim është mbajtur disa ditë pasi Presidenti Trump i pati ftuar një grup të veteranëve afganë në Shtëpinë e Bardhë, për të diskutuar ide të ndryshme se si duhet fituar lufta.
Pentagoni është duke përgatitur një strategji të re në Afganistan dhe është thënë se Mattis, ka rekomanduar rritjen e numrit të trupave amerikane në Afganistan edhe për 4000, nga 8,400 sa i ka tani.
Asgjë nuk është miratuar deri më tash nga Presidenti Trump.