Shqipëra, e dyta në Europë me rezerva të ujit, prapë s’kemi ujë të pijshëm

Shqipëria, vendi i dytë në Europë për rezervat ujore, nuk arrin të plotësojë nevojat me ujë të pijshëm. Sipas ekspertëve strukturimi mbi baza rajonale i menaxhimit është zgjidhje e problemit.
Rasti i Shqipërisë me ujin është krejt i veçantë, me kontraste nga më të çuditshmit. Jo pa shkak konsiderohet si një vend i bekuar sa i takon rezervave ujore: për numër popullate është i dyti në Europë, pas Norvegjisë. Sipas studimeve më të fundit në Shqipëri rrjedhin rreth 1300 metër kub ujë në sekondë dhe për të përmbushur nevojat e saj Shqipërisë i duhet vetëm 1 për qind e kësaj rezerve. Në të gjithë territorin e vendit janë rreth 600 sisteme të furnizimit me ujë të pijshëm. Nga niveli i prodhimit të ujit të pijshëm vendi ka një standard, që është 4 herë më i lartë se ai europian.
Por si është realiteti i furnizimit të konsumatorëve? Nga përllogaritjet zyrtare, rreth 68 për qind e sasisë së prodhuar shkon dëm, humbet, duke shkaktuar “etje” pavarësisht bollëkut. Furnizimi real aktual është mesatarisht në rreth 11 ose 12 orë në ditë. Por kjo shifër e mesatarizuar ka shumë luhatje: nga furnizimi me ujë 24 orë, siç janë Korça, Pogradeci, Librazhdi, Gramshi e Berati dhe deri në furnizimin 4-6 orë në ditë për zona të tjera të vendit. Rasti më ekstrem, që “ujë ka dhe ujë nuk ka”, është në Vlorë, ku niveli i prodhimit të ujit është rreth 700 litra në sekondë dhe arrihet të merret vetëm rreth 200 litra në sekondë.

Decentralizim i pastudiuar në administrim
Ing. Arjan Jovani, zëvendëskryetar i Komisionit Kombëtar Rregullator të Ujit, duke folur për “DW” shpjegon se humbja prej 68 për qind në furnizimin me ujë ka kryesisht dy shkaqe kryesore. Në masën 40 për qind janë humbjet teknike, që vijnë nga amortizimi i rrjeteve dhe moskryerja e investimeve të domosdoshme dhe së dyti, pjesa tjetër e humbjeve vjen nga keqmenaxhimi.
“Defekt i madh është teprimi me decentralizimin e sistemit të furnizimit me ujë. Kalimi në varësi të autoriteteve lokale të ndërmarrjeve të ujësjellave nuk ka qenë e bazuar në logjikë teknike, ekonomike dhe menaxheriale. Shikoni, ka paradokse të tilla, për shembull në Vlorë ka 5 ndërmarrje të tilla, në Pukë janë 3, kurse në Tiranën me afër 1 milion banorë, është vetëm 1. Nga 52 ndërmarrjet e ujësjellësit në vend, pjesa më e madhe e tyre ka probleme serioze ekonomike dhe financiare të krijuara prej vitesh. Rreth 40 prej tyre mbulojnë një popullsi të vogël, pra kanë aftësi të pakta për të krijuar të ardhura dhe për të pasur mundësinë e investimeve. Nuk kanë aftësi likuiduese duke qenë në borxhe. Nuk paguajnë energjinë elektrike të përdorur, nuk paguajnë si duhet punonjësit etj”.
Ing. Jovani thotë se ulja e humbjeve në sistemet e ujësjellësve do të ndikojë drejtpërdrejtë në uljen e kostos së ujit për përdoruesit. Gjithashtu ai përmend dhe mungesën e matjes së ujit që konsumohet. Vetëm gjysma e ujit që shkon për konsum arrin të matet. Sipas ekspertëve të fushës ndryshimi i gjendjes lidhet me përqendrimin e menaxhimit të ujit, duke ndërtuar një infrastrukturë me bazë rajonale.
“Nuk ka nevojë për kaq shumë ndërmarrje. Nga procesi i ndarjes së re territoriale dhe administrative do të korrektohet patjetër pozitivisht dhe problematika me ujin, do të jetë më eficente në administrim”, thotë ing. Arjan Jovani për “DW”.

Të ashpërsohet ligji
Prof. Sazan Guri, ekspert i mjedisit dhe hidrogjeolog ka publikuar para pak kohe një studim titulluar “Magjia Ujit”. Sipas tij ka një sjellje jo miqësore me këtë komponent vital për shoqërinë, duke e keqtrajtuar.
“Në tregun botëror një litër ujë i pijshëm shitet mesatarisht në afër 1 dollar, aq më tepër po të shtojmë këtu vlerën energjetike të përdorimit të ujit. Nuk respektohet ligji dhe uji trajtohet si një ‘mall belik’, duke ndërtuar një raport armiqësor me natyrën, që do të thotë se me ujin mund të bësh çfarë të duash, mund ta shpërdorosh dhe nuk të hyn asnjë gjemb në këmbë. Jemi ndër vendet e pakta, ku na ndodh që fabrika a sipërmarrje të ndryshme, pasi e përdorin ujin për qëllime industriale e shkarkojnë pa asnjë trajtim dhe këto sasi të ndotura bëjnë kërdinë në natyrë dhe janë një rrezik i madh prezent për jetët e njerëzve. E keni parasysh që derdhja e ujërave me përbërës të rrezikshëm në një cikël zinxhir mbërrin deri në tryezën e njeriut. Raste alarmante janë ato të fabrikave të lëkurëve në Berat, në rajonin Tiranë-Durrës etj. Ato janë dhe sipërmarrje të huaja, që në Shqipëri kanë gjetur ‘parajsën’ e moskontrollit dhe mosndëshkimit për dëmet e pallogaritshme, që shkaktojnë”.
Prof. Sazan Guri është për forcim të legjislacionit. Ndotja e ujit parashikohet dhe në Kodin Penal aktual si vepër penale, por përmirësimi i legjislacionit duhet bërë sipas tij. “Jemi dëshmitarë të vendosjes së gjobave administrative, që janë të barasvlershme sa fitimi i një dite për një sipërmarrje. Kjo duhet të marrë fund”.
Ing. Arjan Jovani e shikon ndotjen e ujërave dhe procesin e trajtimit të tyre nga një pikëvështrim tjetër. Ai ngre problemin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotur. Nëse impiante të tilla funksionojnë në Korçë, Pogradec dhe Kavajë, në mënyrë të pajustifikuar impiantet e ndërtuar në Sarandë, Vlorë dhe Lezhë nuk janë vënë ende në punë. Për shkaqe teknike të pajustifikuara apo për mosmarrje në dorëzim nga autoritetet lokale investimet disa milionë euro janë në pritje.