Milan “troket” te Chelsea, kërkon huazimin e Diego Costa

Ka të reja në rrugën që mund ta çojë Diego Costa-n te Milan! Kuqezinjtë mbeten në kërkim të një qendërsulmuesi dhe spanjolli është në listën e kandidatëve bashkë me Kaliniç, Belotti, Aubameyang dhe Ibrahimoviç, aksionet e të cilëve ulen e ngrihen çdo ditë në bazë të drejtuesve dhe menaxherëve të tyre. Por, Mirabelli dhe Fassone kanë bërë një hap përpara në krahasim me dje, duke kërkuar zyrtarisht te Chelsea huazimin për një sezon. Kjo lëvizje duket se i pëlqen të gjitha palëve, mbi të gjitha futbollistit, që është në kërkim të një klubi me nivel të lartë, ku të luajë titullar dhe të mos humbasë vendin në “Rusi 2018”. Huazimi është mënyra që i pëlqen lojtarit të lindur në Brazil, pasi do të kishte sërish mundësinë të shkonte te Atletico Madrid, destinacioni i tij i preferuar, në momentin që FIFA do t’i heqë embargon e merkatos skuadrës drejtuar nga Simeone. Edhe Chelsea do të ishte “pro” huazimit të një futbollisti që nuk është më në planet e Conte-s.