Gropa në dogana, 10 milionë dollarë më pak për muajin korrik

Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve, doganat shqiptare duket se kanë ulur traun. Edhe pse të dhënat zyrtare nuk janë bërë ende publike. Mediat kanë publikuar dje të dhëna se në muajin korrik, Administrata Doganore ka mbledhur 1.1 miliardë lekë ose gati 10 milionë dollarë më pak se plani.  Në gjashtë muajt e parë të vitit, doganat pretenduan se mblodhën rreth 4.6 miliardë lekë më shumë se sa e njëjta periudhë e një viti më parë. Një shifër e dyshimtë kjo për fryrje artificiale nga strkturat përkatëse, të cilat në zbatim të urdhrit të Ramës për të rritur performancën e doganave përcjellin shifra të rreme dhe jo reale mbi të ardhurat nga doganat. Por menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve, rendimenti i Administratës Doganore është përkeqësuar, duke çuar në mosrealizim prej 1.1 miliardë lekësh.  Burime konfidenciale për Syri.net nga brenda institucionit thonë se një nga arsyet për këtë defiçit është shpërndarja e pabarabartë e planit përgjatë muajve. Sipas tyre, në gjysmën e dytë të vitit, plani është dukshëm më i lartë nga ai që ishte në gjysmën e parë, çka do të thotë se edhe gjatë muajve në vijim, doganat do të kenë vështirësi në realizimin e të ardhurave. Por shpërndarja e planit nuk duket arsyeja e vetme. Një raport i publikuar pak kohë më parë mbi korrupsionin në dogana ngrinte shqetësimin e vjedhjeve që ndodhin në magazinat doganore, për të cilat nga ana e institucionit nuk mbahet përgjegjësi. “Për disa tregtarë pagesat informale janë të fiksuara në disa nivele për shembull 5 mijë lekë apo 40 dollarë për ngarkesë. Për të tjerë, shuma varet në vlerën e të mirave dhe mallrave që vihen në pikëpyetje për t’u kaluar. Sa më e lartë vlera aq më e lartë edhe shuma e pagesës nën dorë që mund të variojë nga 15 deri në 50 euro për ngarkesë dhe në këto raste, autorizimi për të kaluar doganën reduktohet në vetëm gjysmë dite. Për më tepër, një pjesë tregtarësh kanë tërhequr vëmendjen se në disa raste mallrat humbasin ose vidhen kur vendosen në magazinë doganore, të cilat nuk janë të siguruara siç duhet. Tregtarët gjithashtu ankohen se dogana refuzon që të marrë përsipër përgjegjësinë për rastet apo vjedhjet”, thuhet në raport. Kjo nuk është hera e parë që biznesi denoncon pagesat nën dorë për punonjës të veçantë të administratës në përgjithësi dhe jo vetëm tek Doganat. Pak ditë më parë ish-Kryeministri Sali Berisha denoncoi për vjedhje masive në dogana, ku sipas tij janë përfshirë drejtuesit më të lartë të këtij institucioni, përfshirë familjarë të drejtoreshës së përgjithshme. Vjedhja masive në dogana bëhet nga një një grup i fuqishëm zyrtarësh me në krye drejtoreshën e Doganave dhe drejtorin e Antikontrabandës. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha pas një mesazhi të marrë nga një doganier. “Vjedhje të mëdha në doganat e vendit! Doganieri dixhital denoncon: Rrjet kontrabande të fuqishme të një grupi zyrtarësh, ku përfshihet drejtoresha e Doganave, drejtori i Antikontrabandës, Mirjam Prifti, burri i drejtoreshës, biznesmenë, agjensi doganore etj. Lexoni mesazhin e tij!”, paralajmëronte Berisha në Facebook.  Ish-Kryeministri Berisha publikoi mesazhin e një doganieri, i cili shkruante se, kontrabanda e kafesë bëhet nga bashkëshorti i drejtoreshës së Përgjithshme të Doganave. “Kontrabandën e kafesë e bën bashkëshorti i ndrikullës drejtore e Përgjithshme e Doganave! Doganieri dixhital denoncon bashkëshortin e ndrikullës, drejtoreshë e Përgjithshme e Doganave, për kontrabandën e madhe të kafesë, me të cilin ai e menaxhon së bashku me drejtorët Zharin dhe Marjan të Doganave të Kakavijës dhe Beratit, të cilët përdorin edhe emrin e zv/ministres së Financave! I bëj thirrje Prokurorisë të nisë sa më shpejt hetimin për këtë rrjet të mafies shtetërore që po iu grabit shqiptarëve dhjetëra milionë euro me kontrabandën e kafesë dhe po shkatërron tregun e saj”, shkruan Berisha.