Shkëlqimi i Berishës dhe Keidi Bares

Nga stoli Keidi Bare fiton derbin përballë Elseid Hysajt. Takimi gjysmë final mes Atleticos së Madridit dhe Napolit i vlefshëm për trofeun “Audi Cup” është fituar nga ana e Colchoneros me rezultatin 2-1. Bare, i cili vetëm një javë më parë në miqësoren kundër skuadrës meksikane të Tolucas i dha një sinjal të qartë trajnerit Diego Simeone se përsa i përket aftësive të tij, nuk ka vend për dilema. Sidoqoftë në përballjen kundër italianëve, Keidi ka qëndruar në stol përgjatë 90 minutave edhe pse pritej që mesfushori kuqezi të aktivizohej në këtë takim. Vendimi i teknikut Simeone, i cili kërkon që 19-vjeçari të integrohet gradualisht në lojën e klubit spanjoll gjithashtu dhe duke mos dashur ta rrezikojë Keidin nga ndonjë dëmtim të rëndë në prag të nisjes së kampionatit spanjoll, pasi me shumë gjasa, falë edhe paraqitjeve pozitive nga ana e mesfushorit kuqezi, aktivizimi i tij si titullar ose si zëvendësues përgjatë kampionatit me shumë mundësi nuk do të mungojë.
Një fakt të tillë e vërteton dhe grumbullimi i 19-vjeçarit për fazën përgatitore që nga dita e parë e nisjes. Falë fitores, Atletico Madrid ka arritur të sigurojë finalen e “Audi Cup” dhe ndoshta tekniku Simeone e ka rezervuar aktivizimin e Bares pikërisht, për këtë ndeshje, përballë një kundërshtari të madh dhe me peshë siç është Liverpooli. Në krahun tjetër tek Napoli, një tjetër kuqezi, Elseid Hysaj rikonfirmohet si titullar absolut në krahun e djathtë. Pavarësisht humbjes, shkodrani tashmë prej kohësh ka vërtetuar se edhe pse i ri në moshë, emri i tij është një garanci më shumë për repartin e prapavijës tek skuadra jugore dhe jo më kot, Presidenti i Napolit, Aurelo DeLaurentis, por edhe tekniku Sarri, kanë refuzuar një numër të konsiderueshëm ofertash që vijnë në drejtim të 23-vjeçarit nga klubet më në zë të Europës.

Atalanta, Berisha shkëlqen ndaj Dortmundit
Një fitore ëndrrash për Etrit Berishën dhe Atalantën. Skuadra nga Bergamo mposhti 1-0 gjigantët e Borussia Dortmund në testin e fundit të luajtur në Austri, aty ku skuadra zhvilloi fazën përgatitore. Portieri shqiptar qëndroi 90 minuta në fushë, në miqësoren e luksit, duke dhënë sërish garanci mes shtyllave: Prej minutave të para, me një pritje vendimtare pas tentativës së Isak.
Berisha ishte i shkëlqyer edhe në pjesën e dytë të lojës. Fillimisht duke evituar një tjetër gol të sigurt përballë të riut Philipp (min 57), ndërsa më pas neutralizoi edhe tentativën e Pulisiç. Me gardianin kuqezi që garantoi paprekshmërinë e portës, Atalanta shfrytëzoi gabimin e portierit Reimann, duke kaluar në avantazh me Iliçiç në minutën e 72-të.
Kjo ishte rrjeta që vendosi rezultatin final të sfidës. Një ndeshje që u cilësua si “Testi europian” për zikaltërit dhe që dha garanci të rëndësishme se Atalanta e Etrit Berishës është gati për të befasuar edhe në Europa League.