SHBA zbarkon në Tiranë për drogën, krimin e korrupsionin

Një delegacion me kongresmenë amerikanë dhe Drejtues të Komisionit për Inteligjencën në Kongresin Amerikan ka vizituar të martën Shqipërinë për t’u njohur nga afër me zhvillimet në vend.
Në përbërje të këtij delegacioni kanë qenë kongresmenët Devin Nunes, njëkohësisht Kryetar i Komisionit për Inteligjencën në Kongresin Amerikan, dhe kongresmeni Rick Crawford, anëtar i këtij komisioni.

Ky është komisioni më i rëndësishëm dhe më me peshë në Kongresin Amerikan, pasi merret me mbikëqyrjen e çështjeve sensitive që kërcënojnë demokracitë e shteteve të jashtme të lidhura me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vizita e këtij delegacioni vjen pas një sërë raportesh të publikuara nga Departamenti amerikan i Shtetit, ku Shqipëria evidentohet tashmë si një vatër e krimit të organizuar dhe trafikut të lëndëve narkotike gjithashtu.

Gjatë kësaj vizite, kongresmenët dhe anëtarët e Komisionit për Inteligjencën në Kongresin Amerikan kanë zhvilluar të martën në mbrëmje një darkë pune me kreun e PD, Lulzim Basha. Të pranishëm ishin kongresmenët Devin Nunes, Kryetar i Komisionit për Inteligjencën në Kongresin Amerikan  dhe Rick Crawford, anëtar i këtij komisioni.

Në fokus të bisedës ishte situata në Shqipëri dhe rajon dhe bashkëpunimi strategjik me SHBA për t’u përballur me kërcënimet e krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe korrupsionit. Mësohet se kreu i opozitës i njohu kongresmenët amerikanë me fakte dhe të dhëna për rolin e organizatave kriminale në bashkëpunim me qeverinë për blerjen dhe manipulimin e votës së 25 qershorit.
Basha ka njohur kongesmenët me prova të pakundërshtueshme se si zgjedhjet e 25 qershorit ishin tërësisht nën diktatin e pushtetit të krimit dhe parave të drogës, e për rrjedhojë vullneti i lirë i shqiptarëve u tjetërsua dhe votat u blenë masivisht për të prodhuar më pas rezultatin e një fituesi fals.
Bashkëbiseduesit ndanë shqetësimin për shumë prej problemeve të evidentuara në zgjedhje dhe u shprehën në mbështetje të një reforme të thellë zgjedhore dhe zbatimit të Reformës në Drejtësi. Po ashtu, bëhet e ditur se ata shprehën shqetësimin për rritjen galopante të kultivimit e trafikimit të drogës në Shqipëri.
Siç mësohet, Basha i siguroi kongresmenët për qendrimin e palëkundur të PD, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe drogës, në shërbim të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të ardhmes europiane të Shqipërisë dhe mbarë rajonit.
Kriza politike, e veçanërisht droga dhe krimi kanë qenë shqetësim i ngritur në mënyrë konstante nga përfaqësues të Kongresit Amerikan ashtu si edhe Senatit. Reagime të forta nga Kongresi e Senati Amerikan janë përcjellë për Shqipërinë në lidhje me kërcënimin e sigurisë së vendit nga forcimi dhe pushteti i grupeve kriminale dhe trafikut të drogës gjithashtu.
Këto reagime u bënë edhe më intensive gjatë fushatës zgjedhore ku ngrihej shqetësimi për cënimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, shqetësim që pas zgjedhjeve të 25 qershorit rezultoi i drejtë.

Njoftimi i Ambasadës së SHBA
Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve Devin Nunes dhe Rick Crawford vizituan Shqipërinë, ku u takuan me një sërë udhëheqësish për të diskutuar çështje të ndryshme, përfshirë aleancën e NATO-s, sigurinë rajonale, bashkëpunimin për mbrojtjen dhe luftën ndaj terrorizmit, si dhe marrëdhëniet dypalëshe. Gjatë vizitës së tyre, anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve Nunes dhe Crawford u takuan me Presidentin Meta, Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, dhe zyrtarë të tjerë. Ata vunë theksin në rëndësinë e kontributit të Shqipërisë në luftën ndaj terrorizmit, rolin e vendit në stabilitetin rajonal dhe nevojshmërinë për zbatimin e reformave kyçe.

Kongresmenët priten nga Meta, nuk takojnë Ramën
Të martën, vizita e këtij delegacioni u pasqyrua në mënyrë të vakët në media teksa u përcoll një njoftim i shkurtër për shtyp nga Presidenca, ku lajmërohej takimi me Presidentin Meta. Ndërkohë gjatë ditës së djeshme nuk ka patur asnjë informacion nëse kongresmenët kanë zhvilluar takim me Kryeministrin Rama apo jo. Nga zyra e shtypit e Kryerministrisë si dhe faqes zyrtare të saj nuk ka asnjë lajmërim mbi një takim të mundshëm të Ramës me përfaqësuesit e Kongresit Amerikan dhe Komisionit për Inteligjencën.
Më vonë, pasdite, Ambasada Amerikane publikoi takimet e zhvilluara të dy kongresmenëve në Tiranë, ku përmendej vetëm takimi me Presidentin Meta dhe Kreun e PD, Basha, duke lënë të kuptohej se nuk ka patur një takim me Kryeministrin Rama.
I vetmi takim i bërë publik në media mbi vizitën e dy kongresmenëve amerikanë krahas darkës së punës me kreun e PD, Basha ishte dhe një njoftim i shkurtër nga ana e Presidencës.
Sipas të cilës “Meta zhvilloi një takim pune me një delegacion kongresmenësh, anëtarë të Komisionit të Përhershëm Përzgjedhës të Dhomës së Përfaqësuesve për Inteligjencën të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (HPSCI), të kryesuar nga Devin Nunes. Presidenti Meta dhe kongresmenët amerikanë diskutuan dhe ndanë pikëpamje të njëjta mbi çështje të sigurisë rajonale dhe globale, duke pasur parasysh se Shqipëria, përveç se një anëtare dhe kontribuese e NATO-s, ka treguar e provuar se është edhe një aleate besnike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në koalicionin kundër terrorizmit dhe ekstremizmit ndërkombëtar”.