Neymar, PSG ofron çek 300 milionë euro

Transferimi i Neymarit në Paris do të kryhet: çdo ditë dhe orë që kalon, vjen dhe një pozicionim më i qartë nga ana e futbollistit dhe shtohen shanset e kalimit të tij të bujshëm te PSG-ja. Edhe në Katalunjë kanë nisur të dorëzohen për humbjen e “O Ney”. Sipas “Sport”, ai do të largohet, ndërsa “Mundo Deportivo” e quan çështje ditësh, për të mos thënë, orësh vendimtare. Sot në Doha? Neymar nuk është rikthyer me shokët e skuadrës në Barcelonë, pas turit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ndodhej në Kinë (në Shangai) për një seri takimesh marketingu. Dhe prej atje, sipas “Mundo”, sulmuesi do të niset për në Doha, ku edhe do të kryejë vizitat mjekësore me klubin francez. Ndërkohë, babai, i cili ka një rol kyç në transferim, ka zbarkuar mëngjesin e së hënës në Barcelonë. Ai udhëtoi me të njëjtin avion të zëvendëspresidentit të Barcelonës, Manel Arrojo dhe ish-kapitenit Karles Pujol. I ndaluar nga gazetarët, ai nuk preferoi të lëshojë asnjë deklaratë. Madje, me njërin prej tyre pati edhe një përplasje.

Kush e paguan klauzolën?
Sipas informacioneve që vijnë nga shtypi francez, PSG ka zbuluar edhe mënyrën për t’iu shmangur detyrimeve të “Fair Play-t Financiar”. “Qatar Sports Investment” do t’i paguajë futbollistit 300 milionë euro si imazhin e Botërorit 2022. Dhe në këtë pikë klubi francez nuk do të ndërhyjë absolutisht në këtë operacion, duke ia lënë në dorë vetë futbollistit që ta paguajë klauzolën e prishjes së kontratës. Kush fshihet pas “Qatar Sports Investment”? E kush tjetër veç familjes Al-Khelaifi dhe pikërisht Naser Al-Khelaifit, presidentit të PSG.

Barça, ikën Neymar vjen Coutinho
Transferimi i Neymar te Paris Sant Germmain do të ketë një efekt të menjëhershëm domino në merkaton e futbollistëve. Kjo lëvizje do të pasohet me të tjera goditje të mëdha, ku pa dyshim protagoniste kryesore do të jetë Barcelona. Klubi katalan, me arkat e mbushura nga shitja e yllit të “Selecaos” do të hidhet menjëherë në sulm për blerjen e një tjetër futbollisti brazilian, Filipe Coutinhon. Plani i drejtuesve blaugrana është që brenda 7 gushtit, ditë kur do të zhvillohet sfida me Chapocoensen për trofeun Gamper, ta ketë mbyllur marrëveshjen me Liverpulin, duke i paguar klubit anglez 100 milionë euro për kartonin e futbollistit. Ndaj presionit të vazhdueshëm të Barçës, pritet të dorëzohet edhe Jurgen Klopp, që e ka kundërshtuar me forcë mundësinë e largimit të Coutinhos nga “Anffield”. Në fakt ndërhyrja e menjëhershme në merkato pas shitjes së Neymar synon të mos u lërë vend polemikave apo keqardhjeve. 222 milionë euro që Barcelona do të përfitojë nga kartoni i Neymar, mjaftojnë jo vetëm për Courinhon, por edhe për të blerë emra të tjerë të rëndësishëm si Mbappe, Di Maria e veçanërisht talenti i Dortmundit Dembele, dëshira më e madhe e trajnerit Ernesto Valverde.