Milan, Montella: Ndaj Craiova vëmendje maksimale

Milan, play off-i i Europa League objektiv i arritshëm. Kuqezinjtë arritën të fitonin takimin e parë të Europa League, kundër modestëve të Craiovas, me rezultatin minimal 1-0. Sigurisht që në ndeshjen e kthimit, misioni është sërish i njëjtë të fitojë dhe të sigurojë fazën play off. Suksesi i arritur ofron një lloj garancie për Milanin, por tekniku i tyre Vicenzo Montella, kërkon përgjegjshmëri maksimale nga të gjithë futbollistët dhe të bëjnë kujdes në mënyrën se si ata do ta menaxhojnë lojën. Pas një periudhe të gjatë në agoni, me një stadium gjysmë të zbrazur, “San Siro” do të jetë i tejmbushur për këtë përballje falë transferimeve të kryera, të cilët mbështetësit kuqezinj mezi presin momentin për t’i parë nga afër dhe sigurisht me dëshirën për të mos u përballur me ndonjë surprizë të pakëndshme. Për teknikun Montella pjesëmarrja masive e tifozëve në stadium është diçka e bukur dhe i shton skuadrës akoma edhe më shumë peshën e të zhvilluarit një ndeshje perfekte. “Pres përmirësime në pjesën e mbajtjes së topit, përgjatë 90 minutave. Një gjë të tillë arritëm ta realizonim edhe në ndeshjen e parë, por jo në një nivel të kënaqshëm. ‘San Siro’ plot? Është një emocion i veçantë dhe një përgjegjësi e madhe për ne. Tifozët po na tregojnë mbështetjen e tyre dhe ky fakt meriton shpërblim nga ana jonë. Nuk do t’i zhgënjejmë”. Më tej Montella bëri dhe disa komente në lidhje me portierin Gianluiggi Donnarumma, çështjen se cili prej futbollistëve do të mbajë shiritin e kapitenit dhe për mundësinë e aktivizimit të Andre Silva. “Donnarumma ka kaluar një verë me intensitet të lartë, por e shoh disi më të maturuar. Shpresoj që tifozët ndaj tij të kenë të njëjtën sjellje si ajo e sezonit të kaluar, sepse e meriton një gjë të tillë. Përsa i përket çështjes së shiritit të kapitenit ndaj Craiovas do të jetë Zapata ai që do ta mbajë, ndërsa një vendim përfundimtar ende nuk e kam marrë. Në mendjen time Andre Silva do të jetë titullar. Ka arritur të përshtatet shumë mirë me pjesën tjetër të grupit”.